Gjermania i jep dritën jeshile Polonisë, lejon dërgimin e avionëve të vjetër luftarakë drejt Ukrainës

Gjermania ka miratuar kërkesën e Polonisë për të eksportuar pesë avionë të vjetër luftarakë MiG-29 në Ukrainë, tha të enjten Ministria gjermane e Mbrojtjes.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se kërkesa polake mbërriti të enjten dhe se miratimi i Berlinit në të njëjtën ditë tregoi se Gjermania mund të konsiderohet një aleat i besueshëm tek i cili mund të mbështetet Ukraina.

Gjermania “trashëgoi” 24 avionë MiG-29 nga Gjermania Lindore pas ribashkimit në vitin 1990.

Në atë kohë, këta avionë konsideroheshin ndër luftëtarët më të avancuar në botë.

Në vitin 2004, Berlini dorëzoi 22 avionë të tillë në Poloni. Nga dy avionët e tjerë, njëri u shkatërrua në një përplasje dhe tjetri është i ekspozuar në një muze.

Polonia kishte nevojë për pëlqimin e Berlinit për të dërguar avionët e saj të mbetur në një vend të tretë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha gjatë një vizite në Varshavë javën e kaluar se Polonia do të ndihmonte në formimin e një koalicioni të fuqive perëndimore për të furnizuar Kievin me avionë luftarakë.

Ukraina, e cila shpreson të nisë një kundërofensivë kundër Rusisë në javët ose muajt e ardhshëm, dëshiron të sigurojë avionë luftarakë për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore./Albeu.com/


Shtuar 13.04.2023 19:20