Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, bëri thirrje për uljen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe për rikthimin e palëve në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Këto deklarata ai i bëri pas një takimi që zhvilloi në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 7 shkurt.
Duke komentuar vendimin për ndalimin e dinarit serb për pagesa në Kosovë, Pistorius tha se zbatimi i vendit “duhet të jetë i organizuar dhe nuk duhet që askush të lëndohet”, duke kërkuar një “periudhë tranzicioni” për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
“Nuk është në interesin e askujt që raportet të tensionohen edhe më tej”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.
Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo rregullore parasheh që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Kosova ka thënë se zbatimi i rregullores të BQK-së për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një periudhe të tranzicionit gjatë muajit shkurt.
Serbia ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Sipas të dhënave të prezantuara nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë shteti i tij ka të punësuar 31.831 persona, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, pasi kanë argumentuar se ajo hyri në fuqi pa konsultime paraprake. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur drojën se rregullorja mund të ketë ndikim negativ në popullatën serbe që jeton në Kosovë.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Pistorius gjatë konferencës për media në Beograd tregoi për temat të cilat i ka diskutuar me presidentin serb, Vuçiq. Ai tha se ka biseduar lidhur me atë që Serbia të mos mbështesë tendencat secesioniste në Bosnje e Hercegocvinë dhe të mbështesë integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës.
“Ne nisemi nga fakti që Serbia nuk do të mbështesë tendencat e mundshme secesionite në Republikën Sërpska [entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë], por do të mbështesë integritetin dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës”, tha Pistorius.
Zyrtari i lartë gjerman sërish i bëri thirrje Serbisë që të miratojë sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
I pyetur për ndikimin rus, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ndikimi ekonomik i Rusisë në Serbi është pakrahasueshëm më i vogël sesa i Gjermanisë.
Ndërkaq, sa i përket ndikimit politik, Vuçiq tha se nuk mund të flasë për të gjithë aktorët, por theksoi se ndoshta Rusia mund të ketë ndikim te disa, e te disa të tjerë jo. Lideri serb tha se vetëm populli i Serbisë ka ndikim në kryeministren, presidentin, Parlamentin e shtetit.
“Askush nuk mund të më jap urdhra nga Uashingtoni apo nga Moska, nga Berlini, apo askund tjetër. Serbia i merr vetë vendimet pa ndikimin e askujt”, tha ai.