Një zyrtar policor është gjetur i vdekur nga kolegët e tij këtë të diele në vendin e tij të punës në pikën kufitare në Jarinje.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka njoftuar se polici Rexhep Sejdiu u gjet i vdekur këtë mëngjes. Ai tregoi se ishin kolegët ata të cilët gjetën Sejdiun, babain e dy fëmijëve, të pajetë në shtratin ku dhe ishte shtrirë për të pushuar.
Ditën e nesërme pritet që t’i bëhet autopsia, ndërkohë dyshohet se vdekja të ketë ardhur për shkaqe natyrale.
“Rreth orës 07:20 është gjetur i vdekur zyrtari policor, gjatë ndërrimit në Jarinjë. Kolegët e kanë gjetur të vdekur, disa orë pasi ishte shtrirë për të pushuar. Ka qenë duke pushuar në vendin e tij të punës. Të hënën do i bëhet autopsia. Ka shumë gjasa që vdekja të jetë natyrale. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër”, tha Elshani.
Lidhur me këtë humbje ka reaguar edhe ministri Xhelal Sveçla i cili përmes një postimi në rrjetet sociale i ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe kolegëve të efektivit Rexhep Sejdiu.
Ministri shkruan se Sejdiu do të mbahet mend gjithmonë si zyrtari i përkushtuar, i palodhur, i cili një vit më parë rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantic.
“Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin e ndarjes nga jeta të Zyrtarit Policor Rexhep Sejdiu gjatë kohës që ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje.
Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantic.
Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të.
Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij, nënës, bashkëshortes e fëmijëve të tij. Të gjithë kolegëve e Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre”, shkruan ministri.