Djali i familjes Haliti ngre dyshime për vdekjen e familjarëve: Qeni nuk i ha kërpudhat, pse ngordhi?!

Në një deklaratë për media djali i familjes nga Kosova që gjeti vdekjen te Gjiri i Lalzit, ka ngritur dyshimet se ndaj familjarëve nuk është treguar kujdesi i duhur nga ana e qendrës spitalore Manëz.

Sipas tij, mjekët nuk kryen asnjë lloj analize dhe i përcollën në shtëpi vetëm me barna në gjendje të rëndë shëndetësore.

Një pikë e fortë që djali ngre dyshime gjithashtu mbi aludimet e helmimit me kërpudha është fakti se pse ngordhi dhe qeni i cili nuk i konsumon ato.

Djali i bëri apel mediave për mos përhapjen e informacioneve jo të sakta dhe organeve ligjzbatuese për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Ajo është shtëpia jonë, babai është dhe me dokumenta, shtetas i Shqipërisë. Janë infektuar prej disa ushqimeve që kanë ngrënë aty.

Ajo që është e papërballueshme për familjen tonë është mostrajtimi i duhur në qendrën shëndetësore në Manëz. Kthimi në shtëpi i tre pacientëve me të njëjtat simptoma në atë gjendje pa kryer analiza është jo i duhur për një mjek që i thotë vetej mjek.

Në spital i kanë kryer një infuzion dhe i kanë kthyer në shtëpi vetëm me barna. Çdo njeri që me kish pa gjendjen kish mund me konstatuar që nuk kanë qenë në rregull.

Sikur të ishte vetëm 1 mund të thoshte ka ec por jo kur shfaqen tre persona në atë gjendje me ato simptoma. Policia ka fillu ndjekjen dhe mjekësia ligjore ka me thënë fjalën e vetë.

Procedurat janë kryer pasi nuk mundet me dal kufoma kur konsiderohet vdekja e dyshimtë.

Problemi që më shqetëson më së shumti është se ne kemi pas edhe një qen aty dhe pse ka ngordh qeni.

Ushqimet që hamë ne nuk i ha qeni, qeni ka pasur ushqimet e veta kokrra dhe kjo është shumë e dyshimtë.

Babai ka dal shpesh dhe nuk është se nuk i njeh këto gjera. Mami i ka njoh gjithashtu shumë mirë kërpudhat se është rrit në fshat”, tha djali.

Shtuar 9.05.2021 12:05