Gërryenin shtratin e lumit Mat dhe një përroi në Xibër, sekuestrohen 2 ekskavatorë dhe 1 kamion, dy persona nën hetim

Policia ka nkisur hetime ndaj dy personave në Mat, pasi kanë gërryer me mjete të rënda, shtratin e lumit Mat dhe atë të përroit të fshatit Xibër, me qëllim marrjen e kundërligjshme të inerteve.

Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar 2 ekskavatorë dhe 1 kamion.

Njoftimi i policisë:

Mat/Intensifikohen kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me fokus parandalimin dhe goditjen e krimeve ndaj mjedisit.

Gërryenin me mjete të rënda, shtratin e lumit Mat dhe atë të përroit të fshatit Xibër, me qëllim marrjen e kundërligjshme të inerteve, procedohen penalisht 2 shtetas.

Sekuestrohen 2 ekskavatorë dhe 1 kamion që përdoreshin për kryerjen e kësaj paligjshmërie.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me ato të Postës së Policisë Klos dhe me strukturat e IMT-së, pas informacioneve të siguruara për 2 raste të krimeve mjedisore, kanë organizuar menjëherë punën për përcaktimin e autorësisë së tyre.

-Në shtratin e lumit Mat, u konstatua një ekskavator në pronësi të shtetasit A. Gj., i cili dyshohet se përdorej për të gërryer shtratin e këtij lumi, me qëllim marrjen e inerteve, në kundërshtim me ligjin.

-Në shtratin e përroit të fshatit Xibër, u konstatuan një ekskavator dhe një kamion në pronësi të shtetasit B. K., të cilat dyshohet se përdoreshin për të gërryer shtratin e këtij përroi, me qëllim marrjen e inerteve, si dhe për transportimin e inerteve të përfituara në kundërshtim me ligjin.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Gj., 48 vjeç, banues në Burrel dhe B. K., 37 vjeç, banues në Klos, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 mjetet (2 eskavatorë dhe 1 kamion) që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e kësaj paligjshmërie.

Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 31.05.2023 13:27