Policia ka nisur procedim penal për 4 zyrtarë në Patos, për shpërdorim detyre. Kryeinspektori i Patosit, dy inspektorë dhe specialisti për mbrojtjen e tokës nuk kanë kryer detyrën funksionale mbi parandalimin dhe marrjen e masave të veprimtarisë së paligjshme të ndryshimit të regjimit juridik të tokës nga ana e shtetasit S. T. Ky i fundit u kap nga shërbimet e Policisë, duke gërmuar dhe shpërdoruar tokën për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme, gjë që ka sjellë prishjen e strukturës së tokës.
Njoftimi i policisë:
DVP Fier
Vijon puna për dokumentimin e krimit mjedisor të ndodhur në kodrat e fshatit Zharrëz, Patos.
Procedohen penalisht 4 shtetas për shpërdorim detyre.
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme mbi arrestimin në flagrancë të shtetasit S. T. i cili u kap nga shërbimet e Policisë, duke gërmuar dhe shpërdoruar tokën për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme, gjë që ka sjellë prishjen e strukturës së tokës, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasit:
A. G., 31 vjeç, banues në Patos, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Patos.
Xh. C., 27 vjeç, banues në Patos, me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Patos.
D. L., 63 vjeç, banues në Patos, me detyrë Inspektor Kontrolli i Territorit në IVMT në Bashkinë Patos.
L. P., 58 vjeçe, banuese në Patos, me detyrë Specialiste për Administrimin dhe Mbrojtjen e Tokës në Njesinë Administrative Zharrëz.
Këta shtetas nuk kanë kryer detyrën funksionale mbi parandalimin dhe marrjen e masave të veprimtarisë së paligjshme të ndryshimit të regjimit juridik të tokës nga ana e shtetasit S. T.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./albeu.com