Gazment Bardhi kandidat për kryeministër? Berisha: Nuk frenoj askënd të futet në garë

Kreu i Partisë Demokratike të Rithemelimit, Sali Berisha, deklaroi se ai ka risjellë votën e lirë në parti, dhe nuk mohoi mundësinë e kandidimit të Gazment Bardhit në zgjedhjet e ardhshme të 2025 për të qenë në garën për kryeministër.

I pyetur për hipotezat, se përse Bardhi dhe Berisha tanimë janë bashkë në një tryezë, Berisha tha se nuk do të frenojë asnjeri të marrë pjesë në garën e hapur.

“Të gjitha hipotezat mund të ngrihen, por Sali Berisha, kurrë nuk do të frenojë njeri, as Bardhin dhe cilido tjetër të marrë pjesë në çdo garë të hapur në PD. Ky është qëndrim i pandryshueshëm i Sali Berishës. Unë kam risjellë në këtë parti garën e vërtetë. Cilido eksponentë i Partisë Demokratike ka të drejtë të votohet për çdo post në Partinë Demokratike, i cili votohet. Ka një ndryshim si dita me natën midis PD sot dhe PS-së, ku nuk votohet asnjë zyrtar, ku nuk votohet asnjë, ku vetëm komunikohet. As në Partinë e Punës së Shqipërisë nuk ka ndodhur kjo. Edi Rama ka përjashtuar totalisht votën nga partia e tij.”

Berisha u ndal edhe tek emri i kreu të Grupit të Parlamentar, të cilin sipas tij do ta zgjedhë grupi i deputetëve që ishin në tryezën e opozitës, ku mund të shtohen dhe të tjerë.

“Ky grup deputetësh, bashkë me deputetët të tjerë, do kenë mundësi të zgjedhin kryetarin e grupit të bashkaur parlamentar, i cili mund të jetë pa asnjë lloj hezitimi, Gazment Bardhi apo këdo që mund të votojnë deputetët.”


Shtuar 8.09.2023 13:37