Ish-kryeministri Sali Berisha, ditën e sotme ka deklaruar nga Kuvendi se opozita nuk do të njohë asnjë ligj që miratohet në Kundërshtim me Kushtetutën.
Reagimi vjen ndërkohë që Parlamenti ka miratuar një sërë ligjesh në seancat e fundit parlamentare të shoqëruara me kaos.
Ndërsa i pyetur nëse janë të gatshëm për të nisur një grevë urie, tha se çdo akt tjetër do të merret në kohën e duhur.
Berisha: Absolutisht që nesër janë të gatshëm, por greva e urisë dhe çdo akt tjetër do të merret në kohën e duhur. Ju e patë që është nisur një konsultë me qytetarët, opozita në aksion. Gatishmëria e qytetarëve është e jashtëzakonshme.
Pavarësisht aksionit tuaj, ligjet janë miratuar. Edhe në komisionet parlamentare po vijojnë diskutimet, megjithëse online. A do të lejoni ju votimi i buxhetit të 2024 dhe nëse kalon, a është ky një dështim i aksionit?
Berisha: Asnjë ligj që kalon në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e vendit, nuk do të njihet nga opozita. Ju i patë si i kaluan, në 15 minuta 7 ligje dhe të shqyrtuara në kundërshtim me ligjin, pa mbledhje komisionesh, të futur pas tavolinave, karrigeve online, të cilën ligji e ndalon përveç se në gjendjen e jashtëzakonshme, pra luftë ose epidemi. Kështu që, kjo nëse ngushëllon veten Rama dhe e quan këtë veprimtari klandestine si të paligjshme, le ta ngushëllojë. Por e vërteta është se kjo është veprimtari e turpshme dhe e paligjshme.