Garda nuk lejon demokratët të hyjnë në Parlament, debat i ashpër me Bardhin: Kush jeni ju mo? E keni kthyer në shtet policor

Gardistët janë vendosur “gardh” te dera e Kuvendit dhe nuk kanë lejuar deputetët e opozitës të futen në sallën e Parlamentit pa u kontrolluar fillimisht.

Kjo ka sjellë edhe përplasje mes kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe Gardës.

“S’ju vjen zor, e keni kthyer në shtet policor. Për ça i ke sjellë gjithë këta njerëz këtu? Për ça ushtroni kontroll? Kush jeni ju mo”, tha Bardhi.

Ditën e sotme në Kuvend pritet të diskutohet projekt-buxheti për vitin 2024, teksa opozita ka paralajmëruar sërish kaos, në kuadër të aksionit opozitar të nisur disa javë më parë.

Sakaq, pas disa mungesash në Kuvend ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama për të marrë pjesë në seancën maratonë që do të mbahet për buxhetin e vitit 2024.

Hera e fundit që Rama mori pjesë në Kuvend ishte 12 tetori i këtij viti në interpelencën e kërkuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku i cili kërkoi që kreu i ekzekutivit të mbante nëj qëndrim lidhur me sulmin e grupit serb në Banjskë. /albeu.com 


Shtuar 20.11.2023 09:16