Eurodeputeti Fredi Beleri ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin e opozitës në zgjedhjet e 4 gushtit për kryetar bashkie në Himarë, Petro Gjikurinë. Në mesazhin përcjellë banorëve të Himarës, Beleri thekon se vullneti i tyre i shprehur në zgjedhjet e 14 majit 2023 u anullua nga regjimi i Edi Ramës në mënyrë puçiste. Gjithashtu eurodeputeti theksoi se banorët e Himarës nuk i kanë pranuar kurrë pushtuesit, pavarësisht kostumit që kanë pas veshur.
“Të dielën, ne Himariotët, kemi zgjedhjet më kritike të zhvilluara ndonjëherë në zonën tonë. Në çdo vend normal nuk do të kishte arsye për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, pasi ato u zhvilluan në 14 maj 2023. Ju folët nëpërmjet votës tuaj, dhatë leksione rezistence, përkushtimi, dashurie të vërtetë për vendin, leksione demokracie. Me mënyra puçiste regjimi anulloi verdiktin tuaj dhe nuk e respektoi vullnetin tuaj. Qëndrimi juaj gjatë këtyre 15 muajve tregoi se zgjedhja juaj ishte me ndërgjegje, mbështetja juaj ishte me mendje dhe me shpirt. Rezistenca juaj do të ketë vendin e saj në historinë e lavdishme të Himarës. Në 4 gusht ju ftoj që me votën tuaj të përmbyllni këtë udhëtim të bukur që filluam në 14 maj të vitit të kaluar. Ju ofenduan, ju nënvlerësuan, ju konsideruan të padenjë për të vendosur për veten tuaj. Gjatë këtyre 15 muajve mbajtën në mënyrë të paligjshme drejtimin e Bashkisë dhe vazhduan të vjedhin prona, të vjedhin histori, të vjedhin arkën e Bashkisë, të sjellin pushtues me qëllim nënshtrimin dhe terrorizimin tuaj. Njërin prej këtyre pushtuesve e vendosën edhe kandidat. Vetëm fakti i kandidimit të një personi që nuk ka asnjë lidhje me zonën është fyerje për qytetarët e kësaj Bashkie, pavarësisht etnisë, fesë apo ideologjisë politike. Mos u a falni këtë mospërfillje. Erdhi gjoja të qetësojë dhe të rivendosë marrëdhëniet midis dy komuniteteve. Nëse do të ishte nga kjo zonë do ta dinte se marrëdhëniet midis grekëve dhe shqiptarëve në këtë bashki kanë qenë historikisht të shkëlqyera dhe do të mbeten të tilla. Do ta dinte se banorët e kësaj zone nuk i kanë pranuar kurrë pushtuesit, me çfarëdo kostum që kanë ardhur.
Do të ishte e ndershme nga ana e tij, qoftë edhe tani, të thotë të vërtetën, se ka ardhur si mercenar dhe nëse e fiton këtë betejë do ta trajtojë këtë zonë si plaçkë për ta shpërndarë së bashku me ata që e sollën. Ai nuk beson në fuqinë e votës, nuk beson në demokraci, nuk beson në të drejtën “të zgjidhesh dhe të zgjedhësh”. Dhjetorin e kaluar pranoi të merrte përsipër drejtimin e Bashkisë pa zgjedhje. Himara, për shkak të ekstroversionit të saj, në shekuj e ka toleruar tjetrin, të ndryshmin, vizitorin, por kurrë nuk ka pranuar që vizitori të komandojë shtëpinë e vet dhe Himara është shtëpia jonë e madhe. Fjala pushtues nuk është ekzagjerim. Që dikush të konsiderohet pushtues duhet të përmbushë dy kritere: të vij i paftuar dhe të sjellë me vete edhe ushtrinë pushtuese. Të gjithë jemi dëshmitarë se sa ministra, kryetarë bashkie, drejtorë kanë ardhur për të mbështetur kandidatin e Ramës, të zgjedhurin e pazarxhinjve, të zgjedhurin e oligarkëve në këtë periudhë parazgjedhore. Një njeri i tillë nuk mund të marrë kurrë votën tuaj dhe rrjedhimisht nuk e kaloj aspak nëpërmend se a duhet të bashkëpunoj me të. Nuk kemi nevojë për shpëtimtarë të vetëshpallur. Nga ana tjetër kemi nderin të pranonte propozimin tonë dhe të kandidojë njëri prej nesh, i cili mendon si ne, i cili është bir i Himarës. La rehatinë e tij në Amerikë për t’i shërbyer vendit. Së bashku me eksperiencën e tij në biznes, sjell edhe përkushtimin dhe dashurinë e tij për vendin. Sjell përjetimet nga përndjekjet që pësoi familja e tij nga paraardhësit e atyre që duan të na qeverisin sot. Të dashur vëllezër, ju ftoj të dielën të jeni konsekuent me historinë, të votoni Petro Gjikurinë, me qëllim respektimin e të parëve dhe sigurimin e një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë. Të gjithë ju që jetoni dhe punoni kudo në botë, përpiquni të jeni të dielën në Himarë. Hajdeni të ndizni një qiri në varret e gjyshërve tuaj, hajdeni sepse Himara ka nevojë për ju, sot më shumë se kurrë. Kundërshtarët tanë do të na admirojnë dhe respektojnë. Miqtë tanë do të jenë krenarë për ne. Historia do të na nderojë dhe do të na përshëndesë, LIRISHT DHE ME KRENARI,” tha Beleri.