Fshehu dënimin me 3 vite burg në Greqi, Balla: Kryebashkiaku i Mallakastrës do të rikandidojë më 14 maj

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, njoftoi sot se Qerim Ismailaj do rikandidojë në Mallakastër në zgjedhjet e 14 majit.

Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj është dënuar në vitin 2000, me vendim të formës së prerë nga një gjykatë greke, me 3 vite burg për rrahjen e një personi.

Në formularin e vetëdeklarimit, Qerimaj e kishte fshehur faktin që ishte dënuar në shtetin fqinj.

Balla u shpreh se lidhur me rastin e Mallakastrës nuk ka asnjë ndalim. Ai theksoi se nëse dikush thirret në SPAK nuk të ndalon të kandidosh.

“Nëse një qytetar shqiptar gjatë kohës në emigracion është dhunuar apo ka pasur një problem që nuk ka asnjë lloj dënimi pr një vepër penale, janë çështje që çdo qytetar shqiptar në emigracion i ka vuajtur. Sot në SPAK janë thirrur shumë persona edhe drejtuesit më të lartë të politikës. Zoti Bushi është thirrur në SPAK si person që ka dijeni për një çështje. Tani sipas jush nëse thirresh në SPAK nuk kandidon më ? Unë e përshëndes punën e zotit Dumani. Por fakti që thirresh në SPAK, nuk të ndalon të kandidosh. Ne kemi një ligj që përcakton artë rastet e mos-kandidimit dhe ai ligj është i panegociueshëm për këdo. Thirrje ime për këdo që i ka shërbyer sigurimit të shtetit dhe është përfshirë në veprimtarinë e tij të mos kandidojë as për kryetar bashki dhe as për Këshilla sepse ligji do të funksionojë”, tha Balla./albeu.com/