Ramsdale pritet të largohet, portjeri shqiptar në radarin e Arsenalit

Aaron Ramsdale do të largohet në fund të sezonit nga Arsenali. Pasi humbi vendin e titullarit këtë vit ndaj David Raya, portieri anglez u shfaq i pakënaqur me vendimin e trajnerit Mikel Arteta, i cili e aktivizoi si titullar vetëm në ndeshjet e kupës.

Topcinjtë e Londrës kanë filluar menjëherë të kërkojnë për alternativat e Ramsdale, teksa i pari në listë është nr.1 i Anglisë, Jordan Pickford.

Portieri 30-vjeçar i Everton është prej disa vitesh tanimë portier i afirmuar në Premier League dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për qëndrimin e skuadrës së Merseyside në elitë.

Një tjetër opsion për portën londineze është Wojciech Szczesny. Për polakun do të ishte një rikthim në Emirates Stadium.

34-vjeçari është drejt fundit të aventurës me Juventusin në Serinë A italiane dhe mund të tundohet nga një kërkesë e Arsenalit për ta afruar sërish në organikë.

Alternativa e fundit dhe padyshim më surprizuese është synimi i Arsenalit për portierin me origjinë shqiptare, Diant Ramaj.

22-vjeçari ka zhvilluar një super sezon me Ajaxin e Amsterdamit. Ramaj përfitoi në fillim të sezonit nga dëmtimet e Rullit dhe Gorte dhe e shfrytëzoi në maksimum situatën në favorin e tij, duke blinduar vendin e titullarit.


Shtuar 10.05.2024 16:53