Qeveria greke ka shpallur tre ditë zie në vend pas tragjedisë me mbytjen e anijes së peshkimit plot me emigrantë.
Sipas të dhënave të deritanishme numri i viktimave ka shkuar në 79, 78 burra dhe një grua, ndërsa janë shpëtuar 104 pasagjerë emigrante. Sipas kryebashkiakut të Kallamatës, të shpëtuarit janë të moshës 16-41 vjeç.
Sakaq autoritetet paralajmërojnë se numri i të vdekurve është më i madh, pasi dyshohet se në anije kishte gati 700 emigrantë.
Tragjedia ndodhi mëngjesin e djeshëm në Pylos në afësri të Kallamatës në brigjet e detit Mesdhe. Anija u fundos rreth 80 km në jug-perëndim të Pylos pasi roja bregdetare tha se kishte refuzuar ndihmën.
Anija e peshkimit plotë me emigrantë nga Afganistani, Pakistani, Siria dhe Palestina ishte nisur nga Tobroku, Libi, me destinacion Italinë. Nuk dihen ende rrethanat që çuan në mbytjen e anijes.
Operacionet e kërkim shpëtimit kanë vazhduar pa pushim edhe gjatë natës, njofton Roja Bregdetare. Por, fakti që prej pasdites së djeshme nuk ka asnjë progres nga kërkimet, shqetëson autoritetet. Siç theksojnë për protothema.gr zyrtarë të Rojës Bregdetare, numri i saktë i pasagjerëve do të jetë i vështirë të përcaktohet me saktësi edhe pas marrjes së deklaratave nga të shpëtuarit.
Frikë se në anije ka pasur 100 fëmijë
Dëshmitë e të mbijetuarve janë tronditëse. Ata u thanë mjekëve se në anije ndodheshin 100 fëmijë.
Ata kërkojnë njerëzit e tyre me foto
Mediet greke raportojnë se të mbijetuarit që ndodhen në spitalin e Kallamatës dalin korridoreve të spitaleve me foto në duar për të pyetur nëse dikush ka parë të afërmit e tyre që ishin bashkë me ta në anije.
Misteri i shkaqeve dhe fundosja e anijes
Anija, e cila ishte nisur nga Tobruku i Libisë, lundroi për pesë ditë me mot të mirë derisa arriti në pikën ku u mbyt.
Të martën pasdite, një varkë Frontex iu afrua anijes dhe i ofroi ndihmë ndihmë emigrantëve pasi varka ishte plot. Por sipas informacioneve, emigrantët në bord kanë refuzuar ndihmën e ofruar nga Roja Bregdetare dhe kanë deklaruar se duan të vazhdojnë udhëtimin drejt Italisë.
Sipas burimeve të protothema.gr , emigrantët që ndodheshin në anijen e peshkimit nuk dinin të notonin, ndërsa asnjë nga të shpëtuarit nuk ishin të pajisur me jelekë shpëtimi.
Ajo që ka bërë përshtypje është se si trafikantët e drejtuan mjetin lundrues në pjesën më të thellë të Mesdheut, vendin ku u mbyt, ndërkohë që ajo rrugë detare nuk është në rrugën e zakonshme që anijet me emigrant ndjekin për të shkuar në Itali.
Dëshmitë thonë gjithashtu se teksa anija po lundronte, papritur ka pasur një goditje majtas dhe më pas djathtas dhe më pas ëhstë fundosur.
Ngjarje të ngjashme nga e kaluara kanë treguar se goditje të tilla shkaktohen nga përleshjet midis pasagjerëve .
Këto dëshmi, në fakt, ngrenë dyshime për mundësinë që kontrabandistët e emigrantëve t’i kishin bllokuar emigrantëtë në anije për të pasur kontrollin e plotë të varkës./albeu.com/