FOTO/ E ëma ka probleme shëndetësore, Hashim Thaçi shkon në Kosovë

Ish-Presidenti Hashim Thaçi ndodhet sot në Kosovë. Kjo është hera e tij e parë në vend, prej nëntorit të vitit 2020, kur u arrestua.

Thaçi që mbahet në paraburgim në Hagë, ka ardhur sot në Kosovë.

Informacionin e ka konfirmuar për Gazetën Express Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ai ka ardhur për ta vizituar nënën e tij, e cila raportohet të ketë probleme shëndetësore.

E njëjta thekson se vizitën e tij në Kosovë po e mbështet EULEX-i dhe Policia e Kosovës.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, tha Griep.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi më 3 prill.

Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve./express/


Shtuar 29.05.2023 15:43