Kampioni shqiptari i Boksit, Florian Marku, ka deklaruar se Lushnja është qytet Luanësh jo qytet lepujsh, duke dashur të demonstrojë edhe krenarinë për qytetin ku është lindur e rritur.
Kanë kaluar pak ditë nga shpallja e tij kampion bote në federatën IBF, por Florian Marku thotë se ky është vetëm fillimi në rrëfimin e tij për Top Channel. Rikthimi i tij këtë herë në Shqipëri është krejt i ndryshëm.
“Hera e parë që e përjetoj një mbështetje kaq të madhe. Kur kam ardhur në Shqipëri, kam parë gjëra të reja, njerëzit më ndalojnë nëpër rrugë, më përshëndesin, vrapojnë për të më takuar për të bërë foto, jam shumë i lumtur, Shqiptarët gjithmonë më kanë përkrahur,” thekson boskieri nga Lushnja.
Po si e shohin në angli një emër të huaj që po pushton arenat e boksit dhe aq më tepër si e shohin shqiptarët atje. “Çmallen kur më shohin mua me flamurin shqiptar, çmallen sado pak. Shumë veta nuk e kanë mundësinë të vijnë në Shqipëri se janë pa letra, por unë mundohem sa më shumë t’ja u sjell Shqipërinë në Angli dhe t’i bëj të gjithë krenar.”
Ndërkohë sportet individuale duket se kanë edhe më pak kosto, por pavarësisht kësaj duke qenë se ne boksin nuk e kemi në traditë, nuk është se kemi patur dhe kemi një sportist brenda vendit në këto nivele.
“Besoj që me shumë vullnet nga kudo që t’ja nisësh mund t’ja dalësh. Vendi ynë sado i ka disa kushte, ka edhe vende më të këqija se vendi ynë. Shumë njerëz gjejnë justifikime duke thënë nuk e kemi këtë mundësi ne këtu, jo të gjitha mundësitë ekzistojnë. Ja nis që këtu dhe mund të arrish në majën e botës në Las Vegas të boksosh atje. Mendoj që shumicës i mungon vullneti. Ndërsa unë për vullnet jap shpirtin sepse kjo është ëndrra ime më e madhe, të bëhem kampion bote dhe të përfaqësoj Shqipërinë në arenat më të mëdha në botë.
Në rrjetet sociale në disa foto keni treguar që prisni të bëheni baba, nëse do të ishte djalë do ta bënit boksier, një sport kaq i rëndë dhe me kaq shumë dhimbje?
“Pres një djalë. Por nuk e di, boksi është një sport që nëse nuk e do me gjithë shpirt vetë, nuk mund të të shtyjë askush, nuk është futboll apo një sport tjetër. Është një sport që do shumë zemër dhe vullnet të përballesh me tjetrin. Nuk është vetëm ndeshja, është përgatitja stërvitja çdo ditë. Dhe besoj nëse djali im e do pse jo nuk ja ndaloj dot. Ai do të shohë babën dhe do t’i ngjaj babës.
Shpesh për lushnjarët në zhargon thonë njerëz të butë, po ju si dolët kaq i fortë?
“Ka qenë dikur njëri nga Berati, një shok dhe bëm grusht bashkë. Më ftoi për të bërë grusht, erdhi më mori në Lushnje dhe vajtëm në Berat bëm grusht. Edhe e rrafa, ja nxiva sytë. Kur më ktheu në Lushnje më la dhe po ikte për Berat dhe e ndaloi policia rrugës, ma ka thënë vetë, dëgjo tha kam dëgjuar që në Lushnje ka vetëm lepuj, por më doli një luan rrugës….
Kur do të shohim në Tiranë?
“Së shpejti tani do të më shihni në Shqipëri, shumë shpejt në stadiumin e ri.”
Bëhet fjalë për një titull botëror?/albeu.com