Në prag të ndeshjes finale të UEFA Conference League, mes ekipit italian të Romës dhe ekipit holandez të Feynord, që do të zhvillohet nesër në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka parë nga afër planin e masave të përgatitur për situatën shëndetësore, në rast se do të nevojitet ndihma e ekipeve mjekësore. Ministrja Manastirliu inspektoi mëngjesin e sotëm Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku foli për gatishmëri të përforcuar të autoambulancave, spitaleve si dhe ekipeve mjekësore.
“Masat janë marrë që përpos 9 autoambulancave që do të jenë në postacionet fikse, janë edhe 7 autoambulanca të tjera shtesë, të cilat janë në qarkullim. Pra emergjencat shëndetësore në Tiranë do të përballohen me kapacitete të shtuara, sepse gatishmëria do të jetë e shtuar. Nga ana tjetër, edhe ekipet mjekësore, të cilat do të vendosen në stadium, janë 8 ekipe që janë përgatitur me mjekë, infermierë që do të jenë brenda në stadium. Janë gjithashtu edhe autoambulancat jashtë stadiumit, të cilat kanë mundësi që të transportojnë, në rastet që mund të ketë ndonjë emergjencë shëndetësore”, bëri me dije Manastiriu.
Përveç autoambulancave të Urgjencës Kombëtare, Manastirliu bëri me dije se edhe tre spitalet universitare në Tiranë do të jenë në gatishmëri të shtuar me shtretër të dedikuara për rastet emergjente që mund të paraqiten.
“E rëndësishme është që spitalet janë bërë gati. Qoftë spitali i Traumës që tashmë ka vënë një pavion me kapacitete të dedikuara, për të patur lehtësinë që të gjitha rastet që do të ketë, pra të transportuar nga Urgjenca Kombëtare, të kenë edhe një pavion të dedikuar. Po ashtu QSUT me pavionin e toksologjisë edhe me shërbime të tjera, të dedikuara për të ofruar shërbim, si dhe spitali “Shefqet Ndroqi”, ku dhe aty kemi pavione të dedikuara. Por mbi të gjitha ekipet janë në gatishmëri dhe janë përforcuar, duke u dyfishuar”, tha Manastirliu.
Për natën finale janë përcaktuar edhe zonat ku do të grumbullohen tifozat e ndryshëm, për të cilat Manastirliu tha se edhe aty do të ketë autoambulanca për të qenë në gatishmëri në çdo moment.
“Plani është i qartë edhe për Fan Zone. Edhe aty është bërë një organizim. Qoftë në afërsi të liqenit, qoftë tek rruga “Murat Toptani” dhe qoftë në Sheshin “Skënderbej” do të kemi autoambulanca të shtuara. Por edhe të gjitha njësitë e tjera të urgjencës, pra autoambulancat në shërbim do të vijojmë të kemi shërbim të dedikuar për çdo urgjencë tjetër që të jetë në Tirane”, bëri me dije Manastirliu.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka ndërmarrë një plan të detajuar masash për përballimin e çdo emergjence të mundshme shëndetësore, për mbarëvajtjen e ndeshjes finale të UEFA Conference League që do të zhvillohet të mërkurën në Tiranë.
Organizimi me Urgjencën Kombëtare është bërë në mënyrë të tillë që të mbulohet shërbimi mjekësor me 7 postacione në stadium (me ekipe mjekësh dhe infermierësh) si dhe 8 ekipe të tjera të lëvizshme mjekësh dhe infermierësh, për çdo emergjencë.
Përvecse në stadium, janë marrë masa për të shtuar postacionet e autoambulancave në zonat ku do të stacionohen tifozët si dhe në pikat kyçe të qytetit. Do të jenë 16 autoambulanca në gatishmëri në Tiranë. Është organizuar shërbimin në spitalet universitare me ekipe mjekësore shtesë në spitalin e Traumës, “Shefqet Ndroqi” dhe në QSUT. Janë marrë masa për të patur pavione të dedikuara në të tre spitalet universitare të Tiranës në rast të një fluksi potencial të rasteve që do të kërkojnë ndihmë mjekësore. Janë siguruar barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme për çdo emergjencë.
MSHMS rikujton se 127 është numri unik, ku mund të telefonohet për çdo emergjencë shëndetësore.