Filipçe: Situata me koronavirusin po përmirësohet

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe u shpreh me optimizëm se situata me koronavirusin në vend po shkon drejt normalizimit dhe për këtë flet edhe ulja e numrit të të infektuarve. Sipas tij është ulur edhe numri i kontrolleve në spitalet e vendit, përfshi edhe Klinikën Infektive.

Filipçe në deklaratën e tij nënvizoi edhe gjendjen epidemiologjike në Tetovë, ku theksoi se për momentin në këtë spital nga Kovid 19 po kurohen 90 pacient, kundrejt 120 sa ishin më parë.

“Të mërkurën përfundon rekomandimi për mësim online në Strugë dhe Kërçovë, mbetet edhe një javë për Tetovën dhe Gostivarin. Do të mbahet një mbledhje e Komisionit për Sëmundje Infektive (KSI) ku do të vendoset nëse ka nevojë për vazhdimin e kësaj mase. Por është me rëndësi që të theksohet se ulja e numrit të të infektuarve po shënon rënie. Dje kishim diku 490 raste që do të thotë, nën 500″.

“Po ulet edhe numri i kontrolleve nëpër spitale. Një nga indikatorët më të mëdhenj janë kontrollet në Klinikën Infektive. Nuk kemi numër të madh të pacientëve të hospitalizuar as në Spitalin e Tetovës, momentalisht kemi 90 pacientë përkundër 120 sa ishin më herët. Ashtu që të gjitha këto parametra flasin se situata po përmirësohet dhe këto janë shenja të mira”, tha Filipçe.


Shtuar 6.09.2021 13:12