Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me bandën e trafikut të drogës, ku lideri ishte Ilirjan Duçellari i njohur si “Lani” ndërsa kishte lidhje me ish-zëvendësdrejtorin e Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, dhe ish-nënkomisarin e Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i njohur si “Festim kokëlopa”. Mësohet se të penduarit e drejtësisë kanë treguar se Ilirjan Duçellari kishte garanci dhe lidhje të forta në Policinë e Vlorës për të kryer aktivitetin e tij kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Nga deklarimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, Donial Drolli, dhe veprimet hetimore të kryera, rezulton se drejtuesi i grupit kriminal shqiptar, shtetasi Ilirjan Duçellari/Zaimi (Lani) kishte lidhje edhe me prokurorin Maksim Sota, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Shtetasi Ilirjan Duçellari/Zaimi ju kishte siguruar një shtëpi të marrë me qira, të cilën e paguante Lani dhe në atë shtëpi kishte qëndruar prokurori Maksim Sota dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Mariglen Shusha. Sipas tyre, Balla ishte një ndër mbështetësit kryesor dhe garantonte çështjen e trafikut të drogës. Madje, në një moment, sqaron i penduari, Balla u transferua nga Policia e Vlorës në atë të Dibrës, duke bërë që të kishte dhe një lëkundje në aktivitetin kriminal.
Nga ana tjetër, në dosjen e SPAK zbulohet edhe roli i ish-nënkomisarit të Policisë së Fierit, Festim Lelaj, i cili sipas të penduarve të drejtësisë, merrte shuma të mëdha parash nga trafikantët.
“Në kohën që ka ndodhur vepra penale, se bëhet fjalë për trafik droge të ndodhur në 2014-2017, Festim Lelaj ndodhej në Drejtorinë e Kufirit. Sipas të penduarve, ai merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut dhe në përgjime atë e cilësojnë si “Festim kokëlopa”. Sipas tyre, ai ishte një person që merrte para hapur nga trafikantët. Festim Lelaj ka një tjetër dënim mbi supe për përfshirjen në trafikun e 2.5 tonë droge drejt Italisë. Kjo është akuza e dytë zyrtare. Sipas të penduarve, ai merrte shuma të konsiderueshme parash, sipas të penduarve. Këta të fundit nxjerrin edhe emra të tjerë zyrtarësh të implikuar dhe flasim për të dhëna alarmante, se si zyrtarë të ndryshëm ishin të përfshirë në çështjet e trafikut të drogës, duke pranuar para nga trafikantët, që t’i linin ata të qetë për të trafikuar sasi të mëdha droge”, raporton gazetarja Lala, duke iu referuar dosjes së SPAK.