Rreth 340 milionë denarë, përkatësisht 5.53 milionë euro, është kostoja e festimeve të organizuara për 35-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Shifrën e konfirmoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, përcjell INA.
Të lidhura
None found
Miteva bëri të ditur se pjesa më e madhe e shumës, 300 milionë denarë, është ndarë nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore për vitin 2024. Afërsisht 40 milionë denarët e tjerë janë mbuluar nga donacionet e kompanive private.
Sipas qëndrimit të Qeverisë, për këtë organizim nuk është përdorur drejtpërdrejt asnjë fond nga Buxheti i shtetit, ndaj festimet nuk kanë rënduar financiarisht mbi qytetarët.
Megjithatë, burimi i mjeteve ka shkaktuar diskutime në opinion. Opozita dhe kritikët vlerësojnë se paratë e Lotarisë përbëjnë fonde publike, kurse Qeveria mbron argumentin se ato nuk janë tërhequr nga buxheti.
Zëdhënësja deklaroi gjithashtu se i gjithë procesi i organizimit ishte transparent. Ajo theksoi se artistët dhe përmbajtjet vendore përfaqësonin rreth 95 për qind të programit, ndërsa interpretimi i yllit ndërkombëtar David Guetta ishte ndër momentet kryesore të tij.
Gjatë konferencës për media, drejtori i Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, paraqiti vendimet dhe bazën ligjore mbi të cilat u siguruan fondet për realizimin e festimeve./INA/
