Juventusi i këtij viti ka humbur shumë nga ai që jemi mësuar të shohim përgjatë dekadës së fundit. Ekipi nën drejtimin e Andrea Pirlos është larg titullit kampion dhe duket se objektivi i vetëm mbetet sigurimi i një bilete për në Champions League.
Ish-portieri i bardhezinjve, Michelangelo Rampulla, mendon se ndryshimi mes kësaj skuadre të “zonjës së vjetër” dhe asaj të kohës kur ai mbante veshur fanellën bardhezi, është pikërisht karakteri. Në një intervistë për “Il Giornale”, Rampulla tregon edhe një fakt interesant, teksa një legjendë në rolin e trajnerit si Alex Ferguson i tregonte lojtarëve video të Juventusit për ti motivuar të fitonin.
“Dallimet midis këtij Juve dhe atij të së kaluarës? Dallimi kryesor është sigurisht karakteri. Ato dhjetë vjet në Juventus ishin të shkëlqyera sepse kishte vlera, lojtarë të mëdhenj, njekës të përulur dhe funksionalë. Kishte një uri për fitore, shumë karakter dhe personalitet. Me ne ishin Vialli, Baggio, Deschamps dhe Jugovic, të cilët kishin fituar tashmë Champions League.
Përveç teknikës dhe klasit, ju duhet edhe zemra, dëshira për të mos u dorëzuar kurrë, fryma e Juventusit shkurt. Kjo është një skuadër që mendonte më shumë për sa i përket përmbajtjes sesa shfaqjes. Ferguson tha se ai i tregoi ndeshjet e Juventusit të Lippi-t lojtarëve të tij për të futur tek ata dëshirën për të fituar. Mendoj se kjo tregon shumë për atë ekip që ishim në atë kohë”, ka thënë Michelangelo Rampulla.
/sportekspres/