Muaji korrik, me disa valë të nxehti dhe zjarre në gjithë botën, ishte 0.33 gradë Celsius më i ngrohtë se muaji i mëparshëm i rekordeve (korrik 2019, i cili ishte mesatarisht 36.63 gradë Celsius).
Temperatura atmosferike ishte gjithashtu 0,72 gradë Celsius më e ngrohtë se mesatarja (1991-2020) për korrikun, tha Copernicus në buletinin e tij.
Që në 27 korrik, para se të mbaronte muaji, shkencëtarët e kishin konsideruar jashtëzakonisht të mundshme që korriku 2023 të ishte muaji më i nxehtë i regjistruar.
Oqeanet po dëshmojnë gjithashtu këtë zhvillim alarmues, me temperatura jashtëzakonisht të larta të sipërfaqes që nga prilli dhe nivele rekord në korrik. Një rekord i të gjitha kohërave u vendos më 30 korrik në 20,96 gradë Celsius, dhe për muajin në tërësi temperatura e sipërfaqes ishte 0,51 gradë Celsius mbi mesataren (1991-2020).
Fenomene ekstreme
“Ne kemi vërejtur rekorde të reja në korrik, si për temperaturat globale të atmosferës ashtu edhe për sipërfaqen e oqeaneve. Këto rekorde kanë pasoja shkatërruese për njerëzit dhe planetin, të cilët janë të ekspozuar ndaj ngjarjeve ekstreme gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive”, theksoi Samantha Burgess, Zëvendës Drejtore e Shërbimit Evropian të Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S).
Dëshmitë e rritjes së temperaturës të shkaktuar nga aktivitetet njerëzore – duke filluar me përdorimin e lëndëve djegëse fosile (qymyr, naftë, gaz) – u regjistruan njëkohësisht në mbarë botën.
Këto indikacione janë kudo: Greqia u godit keq nga zjarret, po ashtu edhe Kanadaja, e cila gjithashtu u prek nga përmbytjet e tmerrshme, vapa e madhe në Evropën Jugore, Afrikën Veriore, shtetet jugore të SHBA dhe një pjesë të Kinës, e cila më pas pësoi rrebeshe.
Rrjeti shkencor World Weather Attributionjn (WWA) ka arritur tashmë në përfundimin se valët e të nxehtit të fundit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara do të kishin qenë pothuajse e pamundur të ndodhnin pa efektet e aktivitetit njerëzor.
Copernicus raporton gjithashtu se akulli i detit të Antarktidës u tkur në korrik më shumë se kurrë që nga fillimi i vëzhgimeve satelitore dhe ra 15% nën mesataren e muajit.
Urgjente
“2023 është aktualisht viti i tretë më i ngrohtë me 0,43 gradë Celsius mbi mesataren e fundit” dhe “temperatura mesatare globale në korrik 1,5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale”, thekson gjithashtu Samantha Burgess.
Kjo shifër prej 1.5 gradë Celsius është shumë simbolike pasi është kufiri më ambicioz i vendosur nga Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 për të kufizuar rritjen e temperaturës. Megjithatë, kufiri i përmendur në këtë marrëveshje ndërkombëtare ka të bëjë me mesataren disavjeçare dhe jo vetëm një muaji.
“Edhe nëse kjo është e gjitha e përkohshme, tregon urgjencën e përpjekjeve ambicioze që duhen bërë për të reduktuar emetimet globale të gazeve serrë që janë shkaku kryesor i këtyre rekordeve”, përfundon Samantha Burgess.
Por ndoshta viti 2023 nuk do të ndalojë së thyeri rekorde. “Ne presim një fund relativisht të ngrohtë të vitit për vitin 2023 për shkak të zhvillimit të fenomenit El Niño”, kujton Copernicus.
Ky fenomen ciklik klimatik mbi Paqësorin është me të vërtetë sinonim i ngrohjes së mëtejshme globale.