Fatkeqësia me anijen e mbytur në Greqi, dyshime mbi Rojën Bregdetare greke

BBC ka bërë një analizë në lidhje me menaxhimin e fundosjes së anijes së peshkimit me rreth 700 emigrantë në ujërat greke, nga ana Rojes Bregdetare në Greqi.

Tragjedia me mbytjen e anijes ndodhi të mërkurën e kaluar në Pylos në afërsi të Kallamatës. Anija kishte destinacion Italinë, ndërsa ishte nisur nga Tobroku, Libi.

Anija e peshkimit plotë me emigrantë nga Afganistani, Pakistani, Siria dhe Palestina. Deri më tani rezultojnë 79 të vdekur, por OKB thotë se rreth 500 rezultojnë të zhdukur. Roja bregdetare greke ka shpëtuar 104 emigrantë.

Në artikullin e BBC vihet në dyshim roja bregdetare greke. Analiza e lëvizjes së anijeve të tjera në zonë sugjeron se anija e mbipopulluar e peshkimit nuk lëvizi për të paktën shtatë orë përpara se të përmbysej.

OKB-ja ka bërë thirrje për një hetim mbi menaxhimin e tragjedisë nga Greqia, mes pretendimeve që duhet të ishin ndërmarrë më shumë veprime më herët për të nisur një përpjekje shpëtimi në shkallë të plotë.

Zyrtarët grekë thonë se kur roja bregdetare iu afrua anijes për t’i ofruar ndihmë, emigrantët refuzuan dhe thanë se donin të vazhdonin udhëtimin drejt Italisë.

Pakistani shpall zi kombëtare

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif shpalli të hënën si “ditë zie” për tragjedinë. Rreth 300 pakistanezë dyshohet se kanë vdekur në mbytjen e anijes, megjithëse numri i saktë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Sharif formoi gjithashtu një komision për të hetuar incidentin dhe urdhëroi policinë të gjurmonte personat e përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore. Shumica e emigrantëve të zhdukur do të ishin nga shteti Azad Kashmir (të paktën 50) dhe ai i Gujarat (47 persona), sipas anëtarëve të familjeve të tyre pakistaneze./albeu.com/ 


Shtuar 19.06.2023 10:26