Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 6 shtetas, të cilët akuzohen për për falsifikim të materialeve zgjedhore në zgjedhjet e 25 prillit, duke pasur rolin e numëruesve të votave.
Më shumë se një vit pas zgjedhjeve, hetimet kanë zbuluar se këta shtetas “gjatë procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shënuar në tabelat e rezultatit, të dhëna të ndryshme nga ato të fletëve të votimit, me qëllim favorizimin e kandidatëve të subjekteve zgjedhore”, tha Policia.
Njoftimi i plotë
Falsifikuan materialet zgjedhore të procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, vihen në pranga 6 shtetas (numërues votash), të shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan bënë ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i materialeve zgjedhore dhe i rezultatit të zgjedhjeve”, për shtetasit:
- E. K., 35 vjeç, banues në Prrenjas;
- Y. K., 35 vjeç, banues në fshatin Karkavec, Prrenjas;
- D. A., 49 vjeç, banues në Prrenjas;
- E. D., 31 vjeç, banues në fshatin Berzeshtë, Prrenjas
- M. V., 33 vjeç, banues në fshatin Rrajcë Fushë, Prrenjas;
- O. A., 40 vjeç, banues në Prrenjas
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, të cilët kanë patur si detyrë numërimin e votave, gjatë procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shënuar në tabelat e rezultatit, të dhëna të ndryshme nga ato të fletëve të votimit, me qëllim favorizimin e kandidatëve të subjekteve zgjedhore.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.