Dy javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës kundër Covid-19, efektet mbrojtëse të vaksinimit do të jenë më të larta. Në këtë pikë, ju jeni plotësisht të vaksinuar. Nëse edhe pas këtij momenti do të prekeni sërish nga Covid, atëherë keni pësuar një infeksion “që e ka çarë rrjetin mbrojtës”.
Në përgjithësi, këto raste janë të ngjashme me infeksionet e zakonshme me Covid-19 tek njerëzit e pa vaksinuar. Gjithsesi ekzistojnë disa dallime. Sipas studimeve, 5 simptomat më të zakonshme të një infeksioni me Covid-19 edhe pas vaksinimit janë dhimbja e kokës, sekrecionet e hundës, teshtitja, dhimbjet e fytit dhe humbja e nuhatjes.
Nëse nuk jeni vaksinuar, 3 nga simptomat më të zakonshme janë dhimbjet e kokës, fytit dhe sekrecionet në hundë. Por dy simptomat e tjera më të zakonshme tek të pa vaksinuarit janë ethet dhe kollitja e vazhdueshme. Ndërkohë të vaksinuarit kanë gjithashtu më pak gjasa se sa të pa vaksinuarit që të shtrohen në spital nëse preken nga Covid-19.
Arsyet pse sëmundja është më e butë tek njerëzit e vaksinuar, mund të jenë sepse vaksinat edhe nëse nuk e bllokojnë tërësisht infektimit, duket se bëjnë që njerëzit e infektuar të kenë më pak grimca virale në trupin e tyre. Gjithsesi, kjo nuk është konfirmuar ende.
Lloji i vaksinës
Të dhënat klinike kanë zbuluar se vaksina e Modernës, e reduktonte me 94 për qind rrezikun e një personi për të zhvilluar forma simptomatike të Covid-19. Ndërkohë vaksina e Pfizer e zvogëlonte këtë rrezik me 95 për qind.
Vaksinat e Johnson & Johnson dhe AstraZeneca, performuan më pak mirë, duke e zvogëluar këtë rrezik përkatësisht me rreth 66 dhe 70 për qind (edhe pse mbrojtja e ofruar nga vaksina e AstraZeneca rritej në 81 për qind nëse kishte një hapësirë më të madhe kohore midis 2 dozave).
Koha që nga vaksinimi
Por këto të dhënat nuk na japin një tablo të plotë. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se koha e kaluar që nga vaksinimi, është gjithashtu e rëndësishme, dhe është një nga arsyet pse po shtohet debati mbi dozat përforcuese. Studimet fillestare mbi këtë çështje, sugjerojnë se mbrojtja e vaksinës Pfizer zbehet pas 6 muajve nga vaksinimi.
Një studim tjetër që vjen nga Izraeli konfirmon të njëjtën gjë. Është shumë shpejt të dihet se çfarë ndodh me efikasitetin e vaksinës përtej 6 muajve pas vaksinimit të dyfishtë, por ka të ngjarë që ai të zvogëlohet më tej.
Variantet
Një faktor tjetër i rëndësishëm, është varianti i virusit me të cilin jeni duke u përballur. Uljet e rrezikut që garantojnë vaksinat, u llogaritën kryesisht duke testuar vaksinat kundër formës origjinale të koronavirusit. Por rezulton se përballë variantit Alfa, të dhënat nga Shëndeti Publik në Angli tregojnë se 2 dozat e vaksinës Pfizer janë pak më pak mbrojtëse, duke e zvogëluar me 93 për qind rrezikun e prekjes nga simptomat e Covid-19.
Përballë variantit Delta, niveli i mbrojtjes bie edhe më tej, në 88 për qind. Edhe vaksina e AstraZeneca tregon zbehje të mbrojtjes. Studimet tregojnë se 2-4 javë pas marrjes së dozës së dytë të Pfizer, keni rreth 87 për qind më pak të ngjarë të prekeni nga simptoma të Covid-19 kur përballeni me variantin Delta. Pas 4-5 muajsh, kjo shifër bie në 77 për qind.
Sistemi juaj imunitar
Është e rëndësishme të mos harroni se shifrat e mësipërme i referohen zvogëlimit të rrezikut mesatar në të gjithë popullatën. Ndërkohë rreziku juaj individual do të varet nga nivelet tuaja të imunitetit, dhe faktorë të tjerë specifikë (si për shembull sa i ekspozuar jeni ndaj virusit, gjë që mund të përcaktohet nga puna që bëni çdo ditë).
Zakonisht mbrojtja e sistemit imunitar zvogëlohet me kalimin e moshës. Sëmundjet kronike mund ta dëmtojnë reagimin tonë imunitar ndaj vaksinimit. Po ashtu personat më të brishtë që u vaksinuan të parët, ndoshta mbi 8 muaj më parë, mund të kenë rrezik më të shtuar për të përjetuar një infeksion të madh për shkak të zbehjes së mbrojtjes imunitare.
A duhet të shqetësohemi?
Vaksinat i zvogëlojnë shumë shanset që ju të prekeni nga Covid-19. Ato ju mbrojnë gjithashtu në një shkallë edhe më të madhe kundër shtrimit në spital dhe vdekjes nga kjo sëmundje. Gjithsesi shqetësimi është se mund të shtohen rastet nga infeksionet që arrijnë t’a tejkalojnë mbrojtjen që ka krijuar vaksina, sidomos nëse kjo e fundit bie sikurse dyshohet, me kalimin e kohës.
Prandaj qeveritë e Britanisë, Francës, Gjermanisë etj po planifikojnë të ofrojnë doza të treta të vaksinës për grupet që konsiderohen të jenë në rrezik më të lartë nga Covid-19. Por edhe nëse do të administrohen dozat e treta, kjo nuk duhet të interpretohet sikur vaksinat nuk funksionojnë. Dhe ndërkohë, është thelbësore që të promovohet vaksinimi për të gjithë ata që kanë të drejtë, dhe që ende nuk janë vaksinuar./albeu.com