Shqipëria ka regjistruar një bilanc të vazhdueshëm negativ migracioni gjatë 35 viteve të fundit, pasi numri i personave që janë larguar nga vendi ka qenë sistematikisht më i madh se ai i të rikthyerve.
Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se, në periudhën 1990–2025, diferenca mes largimeve dhe kthimeve arrin në rreth 1.8 milionë persona.
Të lidhura
None found
Përgjatë gjithë kësaj periudhe, Shqipëria ka pasur dalje neto të popullsisë çdo vit. Ky zhvillim ka sjellë humbjen e kapitalit më të rëndësishëm njerëzor dhe e ka pozicionuar vendin ndër të parët në botë për përkeqësimin e treguesve demografikë.
Ndryshe nga ish-vendet e Europës Lindore, ku emigracioni u zbut në dekadën e katërt të tranzicionit, në Shqipëri fenomeni është thelluar edhe më shumë pas pandemisë.
Shifrat më të larta të largimeve u shënuan në vitet 1990. Vetëm nga viti 1990 deri në vitin 2001, bilanci negativ i migracionit ishte rreth 785,7 mijë persona, ndërsa humbja mesatare vjetore gjatë kësaj dekade llogaritet në afro 65 mijë banorë. Pas përfundimit të regjimit komunist, këto largime u lidhën me izolimin e gjatë të vendit gjatë diktaturës.
Viti 1991 kryeson me një bilanc negativ prej 123,619 personash. Pas tij renditen 1995 me -118,022 persona, 1997 me -107,503 dhe 1999 me -105,229 largime më shumë se kthime. Këto valë të mëdha emigracioni u nxitën nga ndryshimet e thella politike e ekonomike, si edhe nga konfliktet që shpërthyen gjatë krizës së skemave piramidale.
Në periudhën 2002–2013, ritmi i emigracionit ra, megjithëse mbeti i konsiderueshëm. Bilanci negativ i këtyre viteve ishte rreth 391 mijë persona, ose mesatarisht afro 33 mijë banorë në vit. Ecuria pozitive e ekonomisë dhe stabiliteti politik ndikuan në ngadalësimin e largimeve.
Megjithatë, në vitet 2014–2025 u vu re një përkeqësim i ndjeshëm. Largimet u shtuan në një kohë kur baza e popullsisë së vendit u tkurr. Për këtë periudhë, humbja neto nga migracioni ishte rreth 617 mijë persona, me një mesatare vjetore prej afro 51 mijë banorësh.
Pas vitit 2020, treguesit e emigracionit u përkeqësuan ndjeshëm. Bilanci negativ ishte 32,853 persona në vitin 2021 dhe 32,497 persona në vitin 2022. Për vitet 2024 dhe 2025, humbja neto vlerësohet përkatësisht në 28,836 dhe 28,531 persona, çka tregon se hyrjet në vend vijojnë të jenë dukshëm më të ulëta se daljet. Ndërkohë, viti 2023 paraqet një stok të lartë të migrimit neto, rreth -373 mijë persona, si pasojë e korrigjimeve statistikore të censit 2023.
Emigracioni neto është rikthyer në nivele të larta gjatë viteve të fundit dhe ka ndikuar më tej në tkurrjen e popullsisë. Pas një periudhe ngadalësimi në gjysmën e dytë të dekadës së kaluar, diferenca negative e migracionit u zgjerua sërish pas pandemisë, me rreth 29–33 mijë persona më shumë që largohen nga Shqipëria sesa hyjnë në të çdo vit.
Emigracioni mbetet një nga shkaqet kryesore të rënies së popullsisë shqiptare përgjatë tri dekadave e gjysmë. Edhe pse përmasat e largimeve nuk janë më të njëjta me ato të viteve 1990, vendi vijon të humbasë çdo vit në terma neto rreth 28–30 mijë banorë. Ky ritëm përshpejton plakjen e popullsisë, zvogëlon forcën e punës dhe ngushton bazën e kontribuuesve në skemat sociale.
