Pavarësisht pasurisë natyrore me dete, liqene dhe alpe, Shqipëria renditet ndër vendet europiane ku privimi ekonomik është më i theksuar. Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare nuk kanë mundësi të financojnë një javë pushime larg shtëpisë gjatë vitit.
Të dhënat e Eurostat, të cilat për vendet europiane i referohen vitit 2025, ndërsa për Shqipërinë vitit 2023, tregojnë se rreth 53% e familjeve në vend nuk mund të përballojnë shpenzimet për një javë pushime. Me këtë nivel, Shqipëria renditet e dyta, pas Rumanisë, ku përqindja kalon 60%.
Të lidhura
None found
Pas Shqipërisë vijnë Turqia me rreth 51%, Maqedonia e Veriut me afërsisht 48% dhe Greqia me rreth 47%. Shifrat dëshmojnë se pamundësia për të kryer pushime është më e përhapur në Europën Juglindore dhe në ekonomitë me të ardhura më të ulëta.
Shqipëria paraqitet në një pozicion më të dobët edhe krahasuar me vendet e Rajonit. Në Serbi, rreth 36% e familjeve nuk kanë mundësi të përballojnë pushimet, ndërsa në Bullgari dhe Hungari kjo përqindje shkon afërsisht në 39%. Në Itali niveli është rreth 36%, kurse në Portugali, Kroaci dhe Spanjë varion nga 32% në 33%.
Në Bashkimin Europian, mesatarja arrin rreth 27%, pra pothuajse gjysmën e nivelit të shënuar në Shqipëri. Kjo nënkupton se pamundësia për të paguar një javë pushime prek proporcionalisht afërsisht dy herë më shumë familje shqiptare sesa familje në BE.
Ndryshimi është edhe më i madh në shtetet me të ardhura më të larta. Në Gjermani dhe Irlandë, rreth një në pesë familje nuk e përballon dot një javë pushime, ndërsa në Holandë dhe Suedi treguesi zbret në rreth 12-13%.
Nivelet më të ulëta evidentohen në Zvicër dhe Norvegji, ku më pak se 10% e familjeve nuk mund të paguajnë për një javë pushime. Në Luksemburg, kjo përqindje është rreth 11%.
Renditja e Shqipërisë lidhet me të ardhurat e ulëta të familjeve dhe me mundësinë e kufizuar për shpenzime që nuk janë të domosdoshme. Pjesa kryesore e buxhetit familjar përdoret për ushqim, strehim, energji dhe transport.
Edhe pse pushimet nuk klasifikohen si shpenzim bazë, pamundësia për t’i përballuar ato shërben si një tregues i rëndësishëm i standardit të jetesës dhe i privimit material.
Eurostat nuk mat numrin e personave që kanë udhëtuar realisht për pushime, por vlerëson nëse familja ka mundësi financiare të qëndrojë për një javë larg banesës. Udhëtimi mund të kryhet brenda ose jashtë vendit.
Një familje që vendos të mos udhëtojë për arsye personale nuk klasifikohet automatikisht si e privuar.
