EUROSTAT e dëshmon: Vendi ynë po plaket më shpejt se gjithë Europa

Mosha mediane (vlera që ndan gjysmën më të vjetër nga gjysma më e re e popullsisë) e popullsisë së Shqipërisë arriti në 38.2 vjet në vitin 2022, duke u renditur bashkë me Kosovën në mesin e vendeve me popullata me të reja se shtetet e tjera të Europës, sipas të dhënave të Eurostat, por në dy dekadat e fundit vendi ynë është mplakur me ritmet më të larta.

Në vitin 2002 mosha mediane e shqiptarëve ishte 27.6 vjeç. Përgjatë dy dekadave 2002-2022 shihet se popullsia e Shqipërisë është plakur me 10.6 vite norma më e lartë nga të gjithë vendet e Europës, e cila gjatë kësaj periudhe është plakur me vetëm 4.7 vite.

Mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.5 vjeç në 1 janar 2023. Kjo do të thotë se gjysma e popullsisë së BE-së ishte më e vjetër se 44.5 vjeç, ndërsa gjysma tjetër ishte më e re. Mosha mesatare e popullsisë së BE-së është rritur me 2.3 vjet që nga viti 2013, kur ishte 42.2 vjeç, ndërsa popullsia e Shqipërisë për të njëjtën periudhe është plakur me 4.5 vite, ritme dy herë më të larta se mesatarja e Europës.

Më 1 janar 2023, në të gjithë anëtarët e BE-së, mosha mesatare varionte midis 38.4 vjeç në Qipro dhe 48.4 vjeç në Itali. Midis 2013 dhe 2023, mosha mesatare u rrit në të gjithë anëtarët e BE-së, përveç Maltës dhe Suedisë, ku u ul (përkatësisht -0,4 dhe -0,1 vjeç), dhe Gjermanisë, ku mosha mesatare mbeti e pandryshuar.

Në pesë vende të BE-së, mosha mesatare e popullsisë u rrit me 4 vjet ose më shumë. Mosha mesatare në Portugali u rrit me 4.4 vjet, më së shumti ndër vendet e BE-së. Pasuan Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Italia, duke shënuar rritje prej 4.0 vitesh dhe Shqipëria me 4.5 vite.


Shtuar 15.02.2024 16:54