“Është ëngjëll”, KQZ tregon pse kërkoi gjykim të thelluar për të “përkëdhelurin” e Ramës

Tom Doshi vijon të jetë një problem i madh në zgjedhjet e 25 prillit. Ambasadorja Yuri Kim ka shprehur disa herë shqetësimin e saj për listën me kandidatë të papastër, por duket se partitë në vend nuk kanë ndërmend të tërhiqen.

Kështu gjatë mbledhjes së sotme kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi foli mbi rastin e Tom Doshit, duke u shprehur se institucioni që ai drejton kishte indicie që e nxitën të kërkonte hetim të thelluar mbi kandidatin e PSD-së në zgjedhjet e 25 prillit.

Celibashi thotë se mbi Tom Doshin ka informacione të marra nga të dhëna publike, por edhe formulari i dekriminalizimit.

Pyetje: Mbi ç’kriter e keni dërguar verifikimin e këtij kandidati, pasi të tjerët kemi parë që kishin disa ekspulse apo dënime të mëparshme nga shtetet e BE, po për z.Doshi mbi ç’kritere e keni dërguar?

Celibashi: Hetimi i thelluar kryhet në ato raste kur KQZ merr indicie nga përmbajtja e formularit të deklarimit. Ligji parashikon që KQZ mund ti marrë këto indicie edhe nga të dhënat e tjera publike. Rasti i z.Doshi është i tillë, pra ku nëpërmjet të dhënave publike ka informacione që e nxisin KQZ-në që ti kërkoj organit të Prokurorisë informacione të tjera veç atyre që ai ka prezantuar në formularin e dekriminalizimit, me qëllim që të bëhet një vlerësim i plotë dhe i gjithanshëm mbi përputhshmërinë e kandidimit të tij si subjekt zgjedhor në këto zgjedhje. Por tej kësaj, edhe në formularin e tij të dekriminalizimit aty ka të dhëna që shërbejnë si indicie për KQZ-në, edhe nëse nuk do të kishte një informacion apo të dhënë publike për ta filluar procesin për një hetim të thelluar për këtë kandidat. Kemi mjaftueshëm indicie për të hetuar, dhe nëse nga hetimi do rezultojë që dokumentacioni e klasifikon si të papërshtatshëm KQZ do ta marrë vendimin.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Doshin për korrupsion domethënës, Rama thotë se ai është engjëll përpara Sali Berishës dhe Ilir Metës. /albeu.com/


Shtuar 26.03.2021 12:15