Ditën e djeshme ra në prangat e policisë Jeton Lami, agjent i Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit.
Arrestimi i tij erdhi pasi Gjykata ka dhënë ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi 28 vjeçari ka përkrahur dhe transportuar Ervis Martinajn, të shpallur në kërkim.
Nga hetim rezulton se 28 vjeçari e ka transportuar Martinajn disa herë nga Lezha në Laç apo në Shkodër gjatë kohës që ai ka qenë në kërkim. Pra, agjenti i Operacionales edhe pse e dinte se biznesmeni i basteve ishte në kërkim, është shoqëruar me të dhe e ka ndihmuar të lëvizë në disa qytete.
Nga ana tjetër, sipas burimeve, një tjetër efektiv policie dyshohet se është përfshirë në të njëjtën veprimtari në kundërshtim me detyrën.
Mësohet se një efektiv special i Forcave RENEA është larguar nga Reparti elitë i Policisë shqiptare dhe është “degdisur” në një Komisariat periferik.
Emri i tij nuk bëhet me dije pasi institucionet ligjzbatuese nuk e kanë faktuar ende plotësisht rolin e tij në shoqërimin e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas burimeve për neësbomb.al, policia ka informacione operative se efektivi i Forcave Speciale shoqëronte ish-numrin dy të Bandës së Durrësit, Endrit Doklen.
Ky i fundit është kundërshtar i biznesmenit Ervis Martianaj dhe sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për “kokën” e Dokles.
“Ushtari” i Dumanit ka rrëfyer para SPAK planin për të vrarë ish-numrin dy të Bandës së Durrësit.
Dëshmia e Henrik Hoxhaj: Plani për të vrarë Endrit Doklen
Po kështu Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e shtetasit Endrit Dokle. Kjo ka qenë rreth para një viti ku unë bisedoja shpesh me Nuredinin të cilin unë e njihja edhe me emrin Luli. Në një nga këto biseda që ne po kryenin në telefon ai më thotë do gjetur ku është Endrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë.
Çmimi ishte mbi 500.000 euro pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash, pra i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi. Gjithashtu, Nuredini kishte informacion se Endriti jetonte tek një vilë në kompleksin Rolling Hills. Po me makinë me qira kam shkuar deri tek TEG për të vënë re nëse mund ta shihja Endritin, por nuk e kam parë.
Nga muhabete lart e poshtë kisha dëgjuar se Endriti lëvizte me një fuoristradë të blinduar Toyota. Në një nga këto lëvizje tek TEG unë e kam parë këtë makinë tek rrotondo që ndodhet tek diga e liqenit artificial afër kopshtit zoologjik. Thjesht e kam parë, por nuk kam bërë asnjë ndjekje. Ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk kam kryer asnjë veprim. Nga bisedat në celular me Nuredinin e kemi lënë pezull dhe kemi biseduar për gjëra të tjera. Nuk kisha dijeni se ku ndodhej Nuredini gjatë kësaj kohe që unë po kryeja verifikime për Endritin.