Ervin Salianji: Rruga e duhur për të mundur Ramën janë revoltat, jo foltoret para Kryeministrisë

Para mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ish-deputeti PD Ervin Salianji, ka bërë thirrje për një përballje më të drejtpërdrejtë me qeverinë përmes protestave dhe revoltave qytetare.

Ai theksoi se opozita duhet të kanalizojë pakënaqësitë e qytetarëve në veprim real në terren, e jo të kufizohet në tubime simbolike para institucioneve.

Gjithashtu, Salianji nënvizoi se rruga e duhur për opozitën është veprimi dhe mobilizimi qytetar, jo “foltoret përballë Kryeministrisë”, duke shtuar se kjo duhet të jetë edhe vendimmarrja e Kryesisë.

“Është momenti që të fokusohemi tek protesta, tek revolta, përballja me qeverinë, te dëgjesa e çdo shqetësimi qytetar. Nëse nuk jemi të aftë t’i përkthejmë në energji shqetësimet e demokratëve, do ta kemi të vështirë siç po e kemi për të bërë protesta.

Rruga e duhur janë revoltat, jo foltoret para Kryeministrisë. Shpresoj që kjo të jetë vendimmarrja e kryesisë i kam thënë në çdo mbledhje e do i them sërish. Kam qenë në çdo protestë dhe i jam nënshtruar vendimmarrjes së partisë”, shprehet Salianji.


Shtuar 13.12.2025 14:48

Tags: ,