Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës së Posaçme me një kërkesë për shpalljen e pavlefshmërisë së hetimeve të zhvilluara ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme. Në dokumentin 77-faqësh, Veliaj liston një sërë shkeljesh procedurale që sipas tij, e bëjnë të paligjshëm procesin hetimor.
Ai thekson se çështja është ndjekur nga një person që nuk ka pasur statusin ligjor të prokurorit, ndërkohë që pretendon edhe konflikt të pastër interesi, përdorim të kallëzimeve të falsifikuara dhe nisje të hetimeve pa u regjistruar procedimi penal.
Ndër të tjera, Veliaj akuzon organin e akuzës për sekuestrime të paligjshme të të dhënave, lexim të korrespondencave private pa autorizim gjyqësor, dhe pengim të së drejtës për mbrojtje efektive.
Ai shpreh shqetësim për rrjedhjen e informacionit në media dhe përfshirjen e ekspertëve të varur nga SPAK, gjë që sipas tij cenon paanësinë e hetimeve.
Përmes kësaj kërkese, kryebashkiaku kërkon që gjykata të shpallë të pavlefshme të gjitha veprimet hetimore dhe të rikthehet ligjshmëria në procedurë.