ENIGMA/ I gjithë qyteti u dogj, por shpëtoi vetëm kjo shtëpi: Pse?

Nga Kevin Hildebrand, BILD

Flakët e furishme nuk lanë asgjë nga qyteti Lahaina me pothuajse 13 mijë banorë në ishullin Maui të Havait. Pemët e djegura dhe rrënojat e shtëpive ishin gjithçka mbetën nga zjarri që vrau të paktën 93 persona.

Epo kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Një shtëpi sfidoi flakët dhe i mbijetoi fatkeqësisë e padëmtuar.

Një foto e fotografit amerikan, Stephen Lam, tregon një shtëpi krejtësisht të paprekur pranë ujit- ndërsa shtëpitë e tjera përreth janë djegur plotësisht.

Si është mundur?

BILD foli me Alfred Broemme, ish-president i Agjencisë Federale për Ndihmën Teknike dhe ish-drejtues i Departamentit të Zjarrfikëseve në Berlin për disa vite.

Sipas 70-vjeçarit, shtëpia e mrekullisë ndoshta nuk është dëmtuar për shkak të rrymave të favorshme të erës. “Me gjithë gjasat po flasim për një erë rrotulluese, e cila e ka kthyer mbrapsht zjarrin rreth ndërtesës,” shpjegon Broemme.

Dhe sigurisht që ka pasur shumë fat. Sipas Broemme, era në një zjarr të tillë është vendimtare për përhapjen dhe shpejtësinë e flakëve. “Në një tragjedi si ajo e Havait, kushtet e favorshme për zjarrin mund të sigurojnë që ai të përhapet me një shpejtësi prej 50 kilometrash në orë ose më shumë”.

Sipas Broemme, ishte jashtëzakonisht fat i madh që era ndërroi drejtim përpara një shtëpie të vetme në atë mënyrë që e shtyu ferrin e flakëve në një drejtim tjetër. Asnjë masë paraprake e ndërmarrë nga dora e njeriut nuk mund të kishte mbrojtur shtëpinë e dikujt në një situatë të tillë.

“Dhe sigurisht që ndërtesa nuk ka qenë prej kartoni. Është jashtëzakonisht nxehtë përreth, materialet lehtësisht të djegshme mund të marrin flakë menjëherë. Këtu me siguri po flasim për një shtëpi prej guri,” thotë 70-vjeçari. Natyrisht nuk mund të spekulohet pa ditur saktësisht materialet e përdorura për Shtëpinë e Mrekullisë.

Meqë ra fjala: edhe nëse shtëpia u shpëtoi flakëve të ferrit e padëmtuar, njerëzit në pronë mund të mos i kishin mbijetuar zjarrit përreth. Broemme shpjegon: “Zjarri ka nevojë për oksigjen që të digjet. Ky është është një supozim, pasi nuk i dimë rrethanat e plota të ngjarjes. Por njerëzit do të kishin vdekur nëse flakët rreth tyre do të konsumonin të gjithë oksigjenin”.


Shtuar 14.08.2023 11:01