Shqipëria ka nisur përgatitjen e Kontratës së Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të pasagjerëve në linjën Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se dokumenti do të përcaktojë mënyrën e funksionimit të shërbimit, standardet që duhet të respektohen, detyrimet e operatorit dhe skemën e kompensimit.
Të lidhura
None found
Duke folur në një takim me përfaqësues të kompanive të mëdha ndërkombëtare, Karakaçi tha se kontrata përbën një hap me rëndësi për modernizimin e transportit hekurudhor.
Sipas tij, dialogu me tregun synon të evidentojë alternativat më efikase për operimin e linjës.
Korridori Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit është pjesë e planit për ringritjen dhe përditësimin e sistemit hekurudhor shqiptar.
Projekti përfshin rikonstruksionin e linjës aktuale, ndërtimin e lidhjes së re me aeroportin, stacionet dhe elektrifikimin e hekurudhës.
Ndërsa punimet për rehabilitimin e linjës dhe ndërtimin e stacioneve janë pranë mbylljes, elektrifikimi pritet të përfundojë brenda vitit 2027.
“Investimi në infrastrukturë, sado i rëndësishëm të jetë, nuk është qëllimi final. Në fakt, qëllimi final është që qytetarët ta ndjejnë realisht ndryshimin dhe për këtë ne duhet të sigurojmë edhe një shërbim hekurudhor modern, të rregullt, të besueshëm dhe të orientuar drejt pasagjerit”, deklaroi Karakaçi.
Kontrata për korridorin Tiranë-Aeroport-Durrës do të përfshijë përcaktimin e volumit të shërbimit dhe tren-kilometrave, orareve të lëvizjes, mjeteve hekurudhore, mënyrës së pronësisë ose leasing-ut, financimit dhe mirëmbajtjes.
Në të do të parashikohen gjithashtu përdorimi i depos në Shkozet, afati i mobilizimit, kohëzgjatja e kontratës, formula e kompensimit dhe indeksimit, të ardhurat nga biletat dhe treguesit e performancës.
Ministri nënvizoi se objektivi nuk kufizohet te realizimi i një sasie të paracaktuar kilometrash, por te ndërtimi i një shërbimi të kontrollueshëm dhe me përgjegjshmëri ndaj pasagjerëve.
“Duam një shërbim që të jetë i matshëm dhe i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, në kohë, i sigurt, i besueshëm, i mirëmbajtur dhe me një cilësi të përcaktuar qartë”, u shpreh ai.
Sipas Karakaçit, procedura në përgatitje duhet të mbështetet te konkurrenca, transparenca dhe fleksibiliteti. Konsultimet me kompanitë synojnë të përcaktojnë zgjidhjet që ofron tregu për trenat, financimin, mirëmbajtjen dhe organizimin e nisjes së shërbimit.
Paralelisht me linjën drejt Tiranës, Durrësit dhe aeroportit, po ecin përpara edhe projekte të tjera të rrjetit hekurudhor shqiptar.
Linja Vorë-Hani i Hotit, me gjatësi rreth 120 kilometra, po rehabilitohet për të lidhur Shqipërinë me Malin e Zi dhe rrjetin hekurudhor evropian.
Financimi i projektit është siguruar bashkërisht nga BERZH, BEI dhe Bashkimi Evropian. Ministri tha se shqyrtimi i ofertave ndodhet në fazën e fundit dhe se fituesi pritet të shpallet brenda këtij viti.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është ai Durrës-Rrogozhinë, që përfshihet në rrjetin kryesor TEN-T të Ballkanit Perëndimor dhe në Korridorin VIII. Rehabilitimi i kësaj linje parashikon ndërtimin e një infrastrukture moderne, me shpejtësi projektimi deri në 120 kilometra në orë, stacione të rikonstruktuara dhe sisteme të reja sinjalizimi e telekomunikacioni.
Edhe në rastin e Durrës-Rrogozhinës, vlerësimi i ofertave është drejt përfundimit. Sipas Karakaçit, fituesi dhe kontrata pritet të bëhen të ditur brenda këtij viti.
Po përgatitet ndërkohë projekti Rrogozhinë-Pogradec, i cili do të vijojë linjën e Korridorit VIII. Në të njëjtën kohë po punohet për rehabilitimin e segmentit Rrogozhinë-Fier-Vlorë dhe për ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin e Vlorës.
Një nga prioritetet është edhe projekti i lidhjes Durrës-Prishtinë. Për këtë nismë, në bashkëpunim me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, po hartohet një projekt i detajuar teknik.
Planet përfshijnë edhe transportin hekurudhor të mallrave. Në këtë kuadër, lidhja Sukth-Porto Romano synon të krijojë komunikim të drejtpërdrejtë hekurudhor me portin e ri në Porto Romano dhe të përmirësojë ndërveprimin mes transportit hekurudhor dhe atij detar.
“Pra, ajo që po tentojmë të ndërtojmë është një rrjet që lidh qytetet, aeroportet, portet, zonat turistike dhe korridoret ndërkombëtare”, deklaroi Karakaçi.
Ministri e përshkroi këtë qasje si vizionin për rivitalizimin e Hekurudhës Shqiptare. Ai tha se përfshirja e operatorëve ndërkombëtarë dhe privatë synon të sjellë përvojë dhe ekspertizë në sektor, të rrisë kapacitetet vendase dhe të mundësojë transferimin e njohurive te punonjësit e Hekurudhës Shqiptare, veçanërisht për mirëmbajtjen.
Karakaçi shprehu mirënjohjen për partnerët evropianë dhe financiarë, mes tyre BERZH-in, BEI-n dhe konsulentët e Bashkimit Evropian, për mbështetjen e ofruar gjatë këtij procesi.
