Është zgjedhur anëtarja e nëntë e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë zgjedhur Holta Zaçajn si anëtare.
Ajo u zgjodh e para me 84.7 pikë në raport me 82 pikë që siguroi Miha. Votimi doli në balotazh, 6 me 6 mes duy kandidatëve dhe në fund Zaçaj u emërua në Kushtetuese për shkak të pikëzimit.
“Bazuar në nenin 125, pika 1 të Kushtetutës, nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, sot në datë 16 janar 2023, ora 09.30, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi procedurën e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në listën e dërguar për këtë qëllim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Në përfundim të procesit të votimit, rezultoi se kandidatja Holta Zaçaj mori 6 (gjashtë) vota dhe kandidatja Elsa Miha mori 6 (gjashtë) vota, ndërkohë që 3 (tre) vota u shpallën të pavlefshme.
Në zbatim të nenit 7/ç, pika 4, ku thuhet: “Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur”, komisioni deklaroi fituese kandidaten Holta Zaçaj.
Në këto kushte, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve vendosi që znj. Holta Zaçaj zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe i dërgohet për botim Qendrës së Publikimeve Zyrtare.”, thuhet në njoftim.
Tashmë me zgjedhjen e anëtarit të ri Gjykata Kushtetuese plotësohet më nëntë anëtarë./albeu.com