Mediat malazeze dhanë detaje të reja në lidhje me sekuestrimin e 18 kilogramëve kokainë në pikën e kalimit kufitar me Kroacinë, Debeli Brijeg.
Burime nga hetimi thanë për gazetën “Vijesti” se është arrestuar shtetasi shqiptar Arvid Halili, 34-vjeç, drejtuesi i automjetit tip “BMW” me targa franceze.
“Mbrëmë, sipas të dhënave operative të Drejtorisë së Policisë, është kryer kontroll në një automjet në të cilin janë gjetur 18 kilogramë kokainë, e cila ka penguar kontrabandën e kësaj droge narkotike në vendin tonë. Oficerët e Sektorit të Policisë Kufitare dhe Sektori për luftë kundër krimit – Departamenti për luftë kundër drogës janë në bashkëpunim me zyrtarët e Drejtorisë së të hyrave dhe doganave, gjatë kontrollit të automjeteve në vendkalimin kufitar, gjetën dhe sekuestruan 18 kg kokainë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ata shtojnë se mbrëmë, një orë pas mesnate, pjesëtarët e policisë në pikën kufitare Debeli Brijeg, dhe në hyrje të Malit të Zi, kanë kontrolluar një “BMW” me targa franceze të drejtuar nga Halili.
“Përmes kontrollit të detajuar të mjetit, në një hapësirë të prodhuar posaçërisht, janë gjetur dhe konfiskuar 18 pako me lëndë pluhuri të bardhë, e dyshuar si lëndë narkotike kokainë, me peshë totale rreth 18 kilogramë. Droga e sekuestruar do të jetë subjekt i ekspertimit në Qendrën Mjeko Ligjore të Administratës Policore. Me urdhër të prokurorit të shtetit në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë, A.H është privuar nga liria nën dyshimin se ka kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve”, përfundon deklarata.