EMRI/ Kontrollonte trafikun e drogës në Itali,  arrestohet 30-vjeçari shqiptar

Policia italiane ka arrestuar Erion Hysenbelliun, i cili është një emër i njohur për autoritetet e vendit fqinj pasi kontrollon trafikun më të madh të drogës në zonën e Miranos.

30-vjeçari me origjinë shqiptare, prej disa kohësh ishte nën syrin e karabinierëve të cilët pasi kishin marrë lajmin për një person që merrej me shitjen e kokainës në qytetin e Mirano, rreth godinave në Via Canova, kanë kryer një sërë kontrollesh të planifikuara.

Kur karabinierët patën sigurinë se brenda një prej apartamenteve po bëhej pazar droge, ata hynë në aksion. Prandaj kontrolli u aktivizua në shtëpinë e Hysenbelliut, gjatë të cilit 30-vjeçari, duke besuar se nuk po vëzhgohej nga ushtarakët e angazhuar në kontrollin e dhomave, tentoi të hiqte një pjesë të drogës, duke e hedhur nga dritarja në kopshtin më poshtë. Por karabinierët e vunë re veprimin dhe panë pakon të fluturonte nga dritarja dhe, e sekuestruan.

Kërkimet vazhduan deri në zbulimin e 6 gramë kokainë, gati një kg lëndë për prerje, si dhe peshore precize, material për paketimin e dozave dhe shumën prej 460 euro që mendohet se janë të ardhura nga trafiku i drogës.

Hysenbelliu më pas u arrestua dhe ndodhet paraburgim për trafik droge./albeu.com


Shtuar 24.12.2022 22:17