EMRI/ Konstituohet Këshilli Drejtues i RTSH-së, zgjidhet me 10 vota nënkryetar i KDRTSH

Këshilli drejtues i Radio Televizionit Shqiptar, RTSH, ka zhvilluar mbledhjen e parë që nga 17 marsi ku parlamenti miratoi kryetarin dhe anëtarët e tij. Bëhet me dije se Këshilli Drejtues i RTSH, u njoh me aktet e parlamentit për mandatin e gjithsecilit dhe më pas u votua për nënkryetarin, që u zgjodh Petrit Beci me 10 vota pro.

Gjithashtu bëhet me dije se Këshilli Drejtues propozoi edhe ngritjen e një grupi pune për hartimin e një procedure të standardizuar për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm sipas përcaktimit ligjor të Statutit të RTSH. Gjatë mbledhjes u diskutua dhe u ra dakord për të gjitha pikat e rendit të ditës.

Një pikë e rëndësishme e mbledhjes së parë ishte diskutimi për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës, që mbahet në datat 13–17 maj në Bazel të Zvicrës. Për këtë, bëhet me dije se anëtarët u dakordësuan që të thërrasin një mbledhje tjetër brenda kësaj jave për të vijuar me procedurat e nevojshme.


Shtuar 26.03.2025 20:43