Policia ka arrestuar në Fushë-Krujë, një 36-vjeçar të identifikuar si Hekuran Sefa, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Ky shtetas u prangos pasi, nga kontrollet e ushtruara, efektivët i kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, gati për qitje. Pistoleta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me municionin luftarak.
Burime bëjnë me dije se Sefa kishte vetëm tre ditë që ishte kthyer nga Anglia, ndërsa nga verifikimet rezulton pa precedent penal.
Njoftimi i policisë:
Fushë Krujë/Vijojnë kontrollet e befasishme, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Finalizohet nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “Borizana”.
Qarkullonte me armë zjarri me vete, me fishek në fole, gati për qitje, kapet dhe arrestohet në flagrancë 36-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe municioni luftarak.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Krujë, në kuadër të kontrolleve të befasishme mbështetur me inteligjencë informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borizana”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
– H. S., 36 vjeç, banues në Borizanë, Krujë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Shërbimet e Policisë, pasi kanë ndaluar automjetin me të cilin qarkullonte ky shtetas, kanë ushtruar kontrollit fizik ndaj 36-vjeçarit, të cilit i kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, gati për qitje. Pistoleta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me municionin luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com