Policia e Tiranës, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Porosia”, pas informacioneve të grumbulluara në terren. Në aksion morën pjesë efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Sektori i Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.
Gjatë ndërhyrjes, e cila u zhvillua në rrugën “Kastriotët”, u arrestua shtetasi Petrit Çeça, 52-vjeç, me vendbanim në Fushë-Krujë. Ai njihet si person me precedentë të mëparshëm penalë për vepra që lidhen me substancat narkotike.
Të lidhura
None found
Në momentin e kapjes, 52-vjeçarit iu kontrollua çanta që mbarte. Brenda saj, uniformat blu zbuluan dhe sekuestruan si prova materiale një arsenal të rrezikshëm: dy granata dore luftarake, dy ndezës unifikues dhe 600 gramë tritol.
Një sasi e lëndës plasëse ishte tashmë e montuar me dy fitila dhe dy kapsolla detonatore të gatshme për t’u aktivizuar. Gjithashtu, u gjetën edhe gjashtë kapsolla të tjera detonatore.
Dokumentacioni i plotë procedural i është përcjellë Prokurorisë për vijimin e hetimeve.
