Babë e birë kanë rënë ditën e sotme në prangat e Policisë së Fierit pasi ishin shpallur në kërkim kombëtar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimi të policisë shtetasi Ilir Tafa 50-vjeç është i dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg, ndërsa Gledis Tafa 25-vjeç me 1 vit e 6 muaj burgim.
Mësohet se në vitin 2019 policia u ka gjetur në banesë sasi të konsiderueshme kokaine dhe heroine.
Njoftimi i policisë:
Fier
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Shënjestra 2″, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Kapen dhe vihen në pranga babë e bir, të shpallur në kërkim kombëtar për prodhim dhe shitje narkotikësh, të dënuar përkatësisht me 5 vjet e 4 muaj burgim dhe 1 vit e 6 muaj burgim.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Sektorin Operacional në DVP Fier dhe Komisariatin e Policisë Fier, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore, pas lokalizimit të vendndodhjes, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacion policor të koduar “Shenjestra 2”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:
Ilir Tafa, 50 vjeç, banues në Bishanak, Fier (i dënuar më parë për vjedhje me dhunë);
Gledis Tafa, 25 vjeç, banues në Bishanak, Fier.
Në vitin 2019, gjatë operacionit policor të koduar “Shënjestra”, në banesën e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde narkotike heroinë dhe kokainë. Gjatë këtij operacioni është arrestuar në flagrancë edhe shtetasja T. T., si dhe është shpallur në kërkim bashkëshorti i saj, shtetasi Z. T., bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.
Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur masën “Detyrim paraqitje” për këta shtetas, ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin e datës 30.05.2022, ka revokuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e dënuar shtetasin Ilir Tafa, me 5 vjet e 4 muaj burgim dhe shtetasin Gledis Tafa, me 1 vit e 6 muaj burgim.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.