Kryesia e Partisë Socialiste pritet të zyrtarizojë me datë 25 mars kandidatët e saj për 61 bashkitë, të cilët do të pretendojnë marrjen e mandatit drejtues më 14 maj.
Në një pjesë të bashkive thuajse janë caktuar kandidatët, siç është për shembull Tirana, Kukësi, Shkodra, etj., ndërkohë që ka ende zona të nxehta, siç është rasti i Sarandës.
Burime të AlbEu.com bëjnë me dije se mbledhja e fundit në Sarandë është shoqëruar me debate mes të pranishmëve, të cilët mbështesnin kandidatura të ndryshme. Burime bëjnë me dije se kryebashkiaku aktual, Adrian Gurma ka organizuar një grup për të kundërshtuar të dërguarin e PS-së për Sarandën, Blendi Klosi.
Ky i fundit është në mbështetje të kandidaturës së Oltion Çaçit, një biznesmeni në sektorin e turizmit, ndërkohë që grupi tjetër është pozicionuar në krah të Gurmës.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i marrë nga kryesia e PS-së duke ditur edhe se elektorati socialist është i bindur ndaj vendimit të partisë, cilido qoftë ai. /albeu.com