Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka marrë të pandehur Izmir Sakicën, Samuel Troshanit dhe Franko Lekës, të cilët akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe planifikuar vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij.
Plani i tyre kriminal nuk u realizua, pasi sapo grupi i atentatorëve është futur në brendësi të fshatit Rranxë, janë sulmuar me armë zjarri nga Aleksandër Prendi.
Të lidhura
None found
SPAK ka ngritur ndaj tyre akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje”, si dhe “armëmbajtje pa leje”, të gjitha të kryera në kuadër të grupit kriminal.
Pavarësisht se ishte objektivi i sulmit, edhe Aleksandër Prendi është vënë nën akuzë. Ndaj tij rëndon akuza e “vrasjes në tentativë”, pasi sipas prokurorisë, dyshimet janë provuar pas një sërë hetimesh të kryera në zonë. Franko Leka dhe Aleksandër Prendi, vijojnë të jenë në kërkim.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme në shkurt të vitit të kaluar, Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar, janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij, të cilët janë banorë të kësaj zone.
Njëri nga mjetet me të cilin kanë lëvizur personat nën hetim, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes. Ai ka rezultuar i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkasin të njëjtit mjet.
Për këtë ngjarje, në burg ndodhen vetëm Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët zgjodhën të vetëdorëzohen në polici, pasi ishin në kërkim për një sherr të ndodhur në Shkodër.
