Që prej orëve të para të mëngjesit, Policia e Shtetit dhe forcat RENEA, kanë zhvilluar kontrolle të shumta në Mirditë. Mësohet se aksioni është zhvilluar, pas informacioneve se në territorin shqiptar mund të ishte futur Elson Reçi, i cili është i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme që prej 15 majit të vitit 2024.
Bëhet me dije, se policia ka ushtruar kontrolle në banesën e tij në Mirditë, si edhe në disa ambiente të tjera, por pa rezultat, pasi Reçi nuk u gjet.
Të lidhura
None found
Më pas, nga verifikimet e kryera, rezultoi se në Shqipëri kishte hyrë vëllai i tij dhe jo vetë Elson Reçi.
Elson Reçi, akuzohet nga SPAK se ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për kryerjen e vrasjes së Preng Gjinit. Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i cili u ekzekutua me snajper në Rrëshen më 7 janar të vitit 2020.
Me vendimin e datës 15.05.2024, GJKKO caktoi për Elson Reçin masën e sigurimit “arrest në burg”, për veprat penale “vrasje për gjakmarrje” e mbetur në tentativë, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, vepra këto të kryera në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.
