Të shtunën SPAK ka arrestuar 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për abuzime në tenderin e blerjes së uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë 2.8 miliardë lekë.
Në dosjen e SPAK thuhet se, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit, duke shkelur hapur standardet e garës.
Grupi i punës për tenderin e uniformave, që u krijua në 2019, llogariste nevojat dhe fondin për blerjen e uniformave për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Ky grup pune ishte me kryetar Janaq Xhelilin, Drejtor i Drejtorisë së Logjistikës Mbështetëse, Zenel Hyka Shef sektori, Agron Celi shef sektori në drejtorinë e Sektorit Publik dhe Aurora Mulla specialiste për uniformat.
Nga ana tjetër një grup pune në Autoritetin Kontraktor me anëtar, Vojsava Copani, Zenel Hyka, Marsida Gargaj kanë bërë një pasqyrë me çmimet e tregut për uniformat.
Kujtojmë se tenderi nuk është firmosur nga inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla, e cila ka ngritur shqetësimin për abuzimin që po bëhej.
“Nuk kam nënshkruar as dokumentet standarte të tenderit tek dokumenti “Sasia dhe grafiku i lëvrimit”, tek tabela “sasia e pritshme e uniformave që kërkohen” e cila përbën faqen 64-67 të dokumenteve standard të tenderit të ndryshuara. Ky shqetësim i saj për përcaktimin e sasive të pritshme të artikujve të uniformës është shfaqur tek anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurorimit, por nuk është dokumentuar me një procesverbal konkret, përveç nënshkrimit të asaj të tabelave të mësipërime”, thuhet po ashtu në dosje./albeu.com