Janë zbuluar shqiptarët që morën pjesë në grabitjen më të madhe në Britani, grabitje e cila I bëri ata “të famshëm”.
Kur një grup personash sulmuan kompaninë e sigurimeve “Securitas” dhe u larguan me 53 milionë paund, ata bënë historinë për grabitjen më të madhe ndonjëherë në Britani. Vjedhja e madhe, e ndodhur në Tonbridge, është gjithashtu e dyta më e madhe në botë.
Një nga autorët që qëndron pas grabitjes, do të dalë nga burgu, duke paguar vetëm 1 paund. Lea Rusha, 48 vjeç, është liruar me kusht pasi kreu 15 vjet burgim për grabitjen e pazakontë. Në shkurt 2006, Colin Dixon, menaxheri i depove të parave të bankës britanike u rrëmbye ndërsa po drejtonte mjetin tip “Nissan Almera” në Stockbury.
Ai u ndal në anë të rrugës rreth orës 18:30 nga ajo që dukej se ishte një makinë policie. Një burrë iu afrua, duke pretenduar se ishte oficer policie dhe hipi në makinë. Sidoqoftë, shoferi shpejt zbuloi se mjeti nuk ishte makinë policie dhe se personi që e ndaloi nuk ishte polic…
Dixon në fakt ishte rrëmbyer nga një bandë e pamëshirshme që po kryente atë që do të bëhej vjedhja e dytë më e madhe e parave në botë. Ai u drejtua përgjatë autostradës dhe u fut më pas në një furgon të bardhë, para se të dërgohej në një fermë në Staplehurst.
Gruaja e Dixon dhe djali 8 vjeç u morën gjithashtu peng në shtëpinë e tyre pasi iu përgjigjën thirrjes së disa personave të tjerë të veshur me uniforma policie. Ata e bindën gruan se burri i saj kishte bërë aksident automobilistik para se ta çonte në të njëjtën fermë ku ishte ndaluar Dixon.
Ata vazhduan ta mbanin Dixon nën kërcënimin e armës dhe thanë se mos bashkëpunimi mund ta vinte atë dhe familjen e tij në rrezik. Rreth orës 1 të mëngjesit më 22 shkurt, familja u dërgua në depon Securitas në Tonbridge.
14 anëtarë të stafit në depon e parave ishin lidhur nga grabitësit, të cilët ishin të armatosur me AK-47, armë gjahu dhe pistoleta. Pas dy orësh të tmerrshme, grabitësit u larguan rreth orës 2.45 të mëngjesit, duke lënë stafin, Colin, gruan e tij dhe djalin e tyre të mbyllur në kafaze parash.
Për fat të mirë, një anëtar i stafit kishte një çelës ku zhbllokoi kafazin e tij dhe më pas liroi të tjerët, por u desh gjysmë ore para se ata të jepnin alarmin. Fatmirësisht askush nuk u lëndua.
SHQIPTARËT E PËRFSHIRË:
Midis personave të përfshirë në grabitje ishte edhe shqiptari Jetmir Buçpapa, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për pjesën e tij në grabitje pas një gjyqi në 2007.
Shqiptari nga Tropoja që kishte shkuar në Britani me pretendimin se ishte nga Kosova, kishte njohje me “kokën” e organizimit të grabitjes. Puna e tij në vjedhje ishte të organizonte zbulimin e shtëpisë së menaxherit të depove, Colin Dixon.
Buçpapa, djali i një inxhinieri dhe një mësuese, kishte shkuar në Britani 9 vjet para sulmit. Ai jetoi në Tonbridge ku krahas punës së përditshme, fitonte para duke shitur edhe kanabis. Shqiptari i dytë i përfshirë në grabitje, është Emir Hysenaj, i cili është dënuar me 20 vjet burg. Ai ishte njohur me Buçpapën në një kafene në Britani. Të paktën 36 arrestime u bënë gjatë hetimit të gjerë të policisë./albeu.com