Ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka dhënë një intervistë për mediumin britanik BBC në lidhje me valën e emigracionit shqiptar drejt Anglisë. Bushati gjatë intervistës ka theksuar se një nga arsyet që shqiptarët po udhëtojnë drejt Perëndimit dhe kryesissht Anglisë është mundësia që ofrohet në këto vende. Po ashtu gjatë fjalës së tij, ish-ministri ka theksuar se mos anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një tjetër arsye se përse shqiptarët po tentojnë të largohen, pasi ndoihen të zhgënjyer. Në lidhje me përgjegjësinë, Bushati theksoi se politikanët kanë përgjegjësinë e tyre si persona, pasi duhet që të japin më shumë shpresë që shqiptarët të besojnë në zhvillimin e vendit.
Intervista:
Pyetje BBC: Partia juaj ka drejtuar vendin për 17 vjet në 25 vitet e fundit. Ndërkohë kjo është vala e katërt e emigrimit dhe të rinjtë vijojnë të largohen nga vendi. A është kjo për të ardhur turp?
Ditmir Bushati: Ekziston gjithmonë një trend i përgjithshëm ku njerëzit lëvizin nga vendet më pak të zhvilluara drejt atyre më të zhvilluara. Pavarësisht nëse emigrimi është në rrugë të ligjshme ose jo, e vërteta është se vendi i origjinës humbet shumë. Pasi humbet fuqinë njerëzore. Nuk ka kthim të investimit mbrapsht. Dhe gjithashtu ka një dozë faji që shkon tek qytetarët e zakonshëm, të cilët ndonjëherë penalizohen nga lëvizja e lirë nga një vend në tjetrin, siç ndodh në këtë rast nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Pyetje BBC: Por ata jo thjeshtë po largohen nga Shqipëria. Ata po harxhojnë mijëra paund, duke ia dorëzuar ato para të huajve për të siguruar një vend në varkë nga e cila mund edhe të mbyten. Çfarë ka që nuk shkon kaq shumë në Shqipëri që dikush merr këtë rrezik mbi supe?
Ditmir Bushati: Unë pajtohem tërësisht me konkluzionin e dokumentarit tuaj, se situata aktuale nuk ndihmon Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar që të adresojnë rrënjet e vërteta të këtij fenomeni. “Fituesit e vërtetë” në këtë rast janë trafikantët e qenieve njerëzore. Ndaj, unë mendoj se kemi nevojë të adresojmë problemin me themel dhe jo pasojat e tij. Rrënjet e këtij fenomeni kanë të bëjnë padiskutim edhe me modelin ekonomik, të cilin ne këtu në Shqipëri, duhet ta përmirësojmë. Ne duhet të rrisim standartin e jetesës. Ne si politikanë kemi përgjegjësi për të dhënë më shumë shpresë për shqiptarët që të besojnë në të ardhmen e vendit. Por nga ana tjetër, është e nevojshme të lehtësohet regjimi i vizave nga ana e Mbretërisë së Bashkuar. Kam pasur rastin të punoj me katër Sekretarë të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, me ëilliam Hague, Jeremy Hunt, Boris Johnson dhe me Philip Hammond. Së bashku kemi diskutuar disa herë politikat e lehtësimit të regjimit të vizave të Mbretërisë së Bashkuar, jo vetëm për shtetasit shqiptar, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor, siç ka bërë BE-ja dhe siç po bën edhe SHBA-ja tanimë. Ne gjithashtu kemi diskutuar sesi të përmirësojmë programet e lëvizshmërisë në mënyrë që të rrisim shkëmbimet ndërmjet shtetasve tanë, duke qenë se ka shumë simpati për Mbretërinë e Bashkuar dhe britanikët në vendin tonë. Dhe është për të ardhur keq që kjo nuk është materializuar ende.
Pyetje BBC: Një nga arsyet se përse shqiptarët duan të largohen nga vendi i tyre, sipas vrojtimeve, ka lidhje me korrupsionin. Sipas Transparency International, kjo është arsyeja e dytë më e kryesore se përse njerëzit zgjedhin të largohen. Njerëzit paguajnë rryshfet te zyrtarët për të siguruar një punë, një pasaportë, një leje për drejtim automjeti, për të dërguar fëmijën në shkollën që ata duan. A mund të bëhet më shumë për të ndaluar korrupsionin apo jo?
Ditmir Bushati: Ka gjithmonë vend për të bërë më shumë kur vjen fjala te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka gjithmonë vend për përmirësim kur vjen fjala te mënyra sesi krijohet dhe shpërndahet pasuria. Por nga ana tjetër, shqiptarët ndjehen kulturalisht dhe psikologjikisht shumë të lidhur me Perëndimin. Gjithashtu, ata ndjehen të lodhur nga mospërmbushja e ëndrrës së tyre për t’u bërë pjesë e BE-së. E ndërsa po jetojmë në kohën e teknologjisë, njerëzit shohin bashkëmoshatarët e tyre, kushërinjtë e tyre dhe ndonjëherë zgjedhin këto rrugë të jashtëligjshme për t’u larguar. Siç dhe ju e përshkruani, ne po përballemi me këtë fenomen ku njerëzit nga Franca po shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në shumë raste rezultojnë të jenë shqiptarë. Ndaj, kemi nevojë të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona dhe vendeve të tjera që gjithashtu janë të prekura nga ky fenomen.