Emigrantët kthehen në atdhe/ Fluks në pikën kufitare të Kapshticës, gjatë fundjavës kanë hyrë rreth 10 mijë qytetarë

Me rastin e festave të fundvitit, vetëm gjatë fundjavës rreth 10 mijë hyrje dhe mbi 6 mijë dalje, janë regjistruar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Ditët e fundit të vitit, janë shfrytëzuar nga shtetasit shqiptare që jetojnë dhe punojnë në Greqi, për t’u kthyer në vendlindje dhe për të festuar Vitin e Ri me familjarët e tyre.

Për të përballuar fluksin, autoritetet tona sqarojnë se është punuar me sportele maksimale, ndërsa janë alternuar në varësi të situatës.

Ndryshe nga vitet e tjera qytetarët nuk kanë pritur shumë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kjo edhe për shkak se edhe pala greke ka punuar me sportele maksimale.

Ashtu siç hynë gjatë këtij 10 ditëshi të fundit të vitit, pritet që një fluks i shtuar i lëvizjeve në drejtim të Greqisë të ndihet rreth datave 4, 5, 6 janar.


Shtuar 30.12.2024 12:48