Elbasan/ Dyshohet se do të përdorej në një ngjarje kriminale, sekuestrohet një makinë e vjedhur

Policia e Elbasanit, ka gjetur dhe ka sekuestruar një automjet të vjedhur, që dyshohet se do të përdorej për kryerjen e një ngjarjeje kriminale.

Pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një automjet i parkuar në lagjen “Brigada 17 Sulmuese” mund t’i shërbente ngjarjeve kriminale, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan shkuan në zonë, për të kryer veprimet procedurale në vendngjarje dhe më tej ato hetimore.

Policia kreu kontrollet në brendësi të automjetit, ku nuk u gjetën sende të kundërligjshme, por nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky automjet tip “Ford Fiesta ” ishte denoncuar i vjedhur më datë 15.12.2023, nga pronari i tij, shtetasi B. R..

Sakaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 28.02.2024 10:38