Shpëton për mrekulli një ekip sportistësh shqiptarë në Turqi. Mundësit e Kosovës dhe pjesëtarët e kësaj federate i shpëtuan tërmetit që goditi sot Turqinë dhe Sirinë.
Të ndodhur në një hotel në Kahramanmara (Turqi), një nga zonat ku ishte epiqendra e tërmetit 7.9 ballësh, shqiptarët kanë mundur të dalin shëndoshë e mirë.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Mundjes të Kosovës (FMK), Genci Fazlija, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se mundësit e rinj të Kosovës dhe përfaqësuesit e Federatës janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Në fillim kemi qenë pak të traumatizuar. Tani e kemi tejkaluar pak se ka qenë tmerruese, e papërshkrueshme. Krejt objektet rreth nesh janë shkatërruar, vetëm hoteli ku ishim ne, mbeti në këmbë”, thotë Fazlija. Gjithshtu ai thekson se mundësit e Kosovës ndihmuan autoritetet në shpëtimin e disa personave të ngujuar, pasi kishin dalë vetë nga hoteli i tyre.
“Kemi nxjerrë njerëz nga gërmadhat sa kemi mundur, derisa u lagëmshumë sepse binte borë dhe shi. Pastaj, policia na falënderoi dhe na luti të largoheshim dhe u larguam”, rrëfen Fazlija. Ekipi i mundjes së Kosovës i udhëhequr nga trajneri Ziber Xhoni dhe mundësit Fatlum Braka, Bleonit Bytyqi dhe Egzon Xhoni kishte udhëtuar drejt Turqisë për të marrë pjesë në turneun dyditor “12 Shkurti”, i cili është pjesë e kalendarit zyrtar të garave ndërkombëtare të mundjes. Më shumë se 2600 viktima dhe mbi 10 mijë të plagosur ka lënë pas tërmeti shkatërimtar deri në këto momente.