Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama, udhëtoi drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të pjesëmarrjes në eventet e Javës së Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025, (Abu Dhabi Sustainability Week (ADSW).
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Rama jep lajmin se sot do të nënshkruhet një marrëveshje trilaterale, sa i përket shtrirjes së lidhjeve nënujore energjetike me Italinë.
Gjithashtu, Rama ka sqaruar se lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë e do të mbështetet në investime domethënëse të përbashkëta, në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë.
Kreu i qeverisë shton se një hap i tillë, vjen në vazhdën e synimeve që vendi ynë të bëhet i pavarur nga importi i energjisë elektrike dhe që së shpejti të bëhemi një vend eksportues në BE.
“Përshëndetje nga Abu Dhabi, për pak do të vendosim një gur kilometik në rrugën e pavarësisë sonë energjetike.
Bashkë me kryeministren e Italisë miken e shtrenjtë Meloni, me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, finalizojmë marrëveshje trilaterale për lidhje nënujore energjitike mes Shqipërisë e Italisë si dhe rritjen e prodhimIt të energjisë diellore në Shqipëri.
Lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë e do të mbështetet në investime domethënëse të përbashkëta në rritjen e kapaciteteve prodhuese të vendin tonë.
Kjo shkon edhe në funksion të ambicies për tu bërë të pavarur nga importi por na jep edhe një rol së shpejti si eksportues në BE. Shqipëria sot vendi me kapacitetin më të lartë të vetëprodhuesve familjarë apo biznes nga energjia diellore në rajon.
Energjia e prodhuar nga dielli ka kaluar nga 0 në 10 përqind të prodhimit të brendshëm. Plani është të arrijmë në 30 përqind brenda mandatit tonë të 4. Ishim i vetmi vend në rajon që nuk e rritëm çmimin e energjisë gjatë krizës europiane 2022-2023 dhe që nga 1 shkurti do të bëhemi zyrtarisht i vetmi vend europian që ulim çmimin e energjisë me 10.5 përqind”, tha ai.